Prishtinë, 19 qershor 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ka pasur kërkesa për koncesione shtesë, që kanë shkuar përtej masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës vitin e kaluar.
“Por, natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, tha Bislimi gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.
Sipas tij, kërkesa të tilla, të cilat siç tha ai janë bërë në vazhdimësi nga shtetet anëtare, por jo direkt nga Brukseli, tregojnë se Kosova ka pasur më së paku faj për vendosjen e këtyre masave.
Deklarata e Bislimit vjen pasi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka dorëzuar një raport te shtetet anëtare të BE-së. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se në këtë raport, Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese.
Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se shtetet anëtare të bllokut evropian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuse ndaj Kosovës ka qenë “e padrejtë”.
Sipas tij, brenda BE-së ka shtetet që mendojnë se mënyra se si janë vendosur këto masa ndëshkuese ka qenë shkelje e procedurave ligjore brenda BE-së, “dhe ka të tillë të cilët kanë iniciuar kërkesa brenda Komisionit Evropian për të verifikuar ligjshmërinë”.
“Për shembull një ekspert shqiptar në Gjermani i cili është duke shkëmbyer mesazhe dhe shkresa me KE-më për të parë a është e shëndoshë baza ligjore mbi të cilën janë marrë këto vendime”, tha Bislimi.
Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, tha se masat u vendosën për shkak të trazirave të majit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Arsyeja pse Kosovës i janë vendosur masat lidhen me 26 dhe 29 maj për të cilat është thënë shumë herë se dihet origjina e këtyre trazirave. Origjina e këtyre trazirave është në Beograd, por duke qenë se ato kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, masat janë vendosur për Kosovën. Masat janë joproporcionale. Nga Kosova kërkohet diçka e cila nuk kontribuon asgjë në deeskalim, për shembull në një kohë kur protestojnë në Zveçan, kërkesa e BE-së ishte që të zhvendoset kryetari i Komunës në Leposaviq. Nuk kishte kurrfarë ndërlidhje mes kërkesës dhe eskalimit në terren. Çka është më e rëndësishme, masat kanë qenë të përkohshme dhe të kthyeshme pas deeskalimit”, tha ai.
Bislimi shtoi se edhe pse Kosova, së bashku me Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, kanë konstatuar se situata në veri është e qetë, BE-ja “ka hezituar të heqë masat”.
“Madje ka pasur ide që ato të zbatohen në mënyrë graduale, apo të tërhiqen në mënyrë graduale me idenë që mbase masat të përdoren që të nxirren kompromise të tjera nga Kosova, jashtë asaj nga çfarë janë vendosur masat. Por, Problemi më i madh dhe reagimi i vendeve anëtare ka qenë në momentin kur është parë një pabarazi e qasjes së BE-së kur Serbia për shkelje shumë më të mëdha nuk është përballë me masa, ndërsa Kosova veç pse e ka zbatuar ligjin dhe ka dërguar kryetarët në zyrat ku ata kanë fituar zgjedhjet, është përballur me masa”, tha ai.
Ndërkaq, për raportin e Borrellit, ku rekomandohet heqja e masave ndaj Kosovës do të diskutohet më 19 maj në takimin e Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera janë suspendimi i programit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).
Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.
Kosova ka insistuar disa herë se ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave.