Bislimi: OSBE të ndalojë manipulimet me regjistrimin e shqiptarëve në Luginë

Prishtinë, 11 tetor 2022 – Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Luginë të Preshevës po zhvillohet me probleme të shumta. Autoritetet e Serbisë po paaqesin pengesa të ndryshme që të parandalojnë regjistrimin e shqiptarëve.

Për këto pengesa ka tërhequr vërejtjen edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Z. Bislimi, përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar përfshirjen e OSBE-së në këtë proces për të parandaluar manipulimet e autoriteteteve serbe.

“Agresivitet dhe pengesa selektive gjatë procesit të regjistrimit të shqiptarëve në Serbi. Veçanërisht në Medvegjë ku janë vetëm tre komisionerë shqipfolës dhe që të gjithë janë vendosur në zona që nuk janë të banuar me shqiptarë. Urgjentisht të përfshihet OSBE për të parandaluar manipulimet”, ka shkruar ai.

Bislimi u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës, sidomos atyre të Medvegjës, që të regjistrohen në mënyrë masive.

“Akoma më urgjente është që të gjithë shqiptarët e Medvegjës të regjistrohen në mënyrë masive në javët në vijim”, ka thëënë Bislimi.

Thirrrje për regjistrim masiv shqiptarëve të Luginës së Preshevës u është bërë të gjitha autoritetet shtetërore e politike të Kosovës. 

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti ata të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë që zgjat deri më 31 tetor.

“T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, është shprehur Kurti përmes një video-mesazhi me fillimin e procesit të regjistrimit.

Kurti ka thënë se shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskriminim kombëtar, njerëzor e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre.

Shqiptarëve u ka bërë thirrje për regjistrim edhe ambasadori i OSBE-së në Beograd, Jan Braathu.

“Madhësia e popullsisë së një pakice kombëtare, ashtu siç arrihet në regjistrimin e popullsisë, vendos edhe për lartësinë e fondeve për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare, që janë të dizajnuara për të ruajtur identitetin kulturor të një grupi të caktuar. Prandaj unë inkurajoj pjesëmarrjen tuaj dhe bashkëpunimin tuaj me regjistruesit si dhe me institucionet që e zbatojnë këtë proces”,  tha ambasador i OSBE-së në Serbi, Jan Braathu.

(r.m.)