Prishtinë, 12 qershor 2025 – Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në negociatat për normalizim të marrënieve me Serbinë, ka reaguar ndaj deklaratave publike të kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq,lidhur me përmbajtjen e bisedimeve në takimin trepalësh që u mbajt të martën, më 10 qershor 2025, në Bruksel.
Bislimi, në një reagim publik në rrjetin social X, ka theksuar se Petkoviq e ka deformuar qëllimisht përmbajtjen e diskutimeve në këtë takim, për ta mashtruar opinionin publik serb, ndonëse në takim ishte pajtuar me sugjerimin e ndërmjetësit të takimit, emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Soren Petersen, që palët të mos flisnin për tema që nuk janë diskutuar në takim.
“Për fat të keq, u deshën më pak se 30 minuta për të dëshmuar dështimin e tij në të dy zotimet”, ka shkruar Bislimi në një letër, të cilën e ka postuar në platformën “X”.
Bislimi Petkoviq, në konferencë për mediat serbe, pas takimit, ka deklaruar se ai “ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe se ai e ka paraqitur “një plan për deeskalim të situatës në veri të Kosovës”.
“E konsideroj të nevojshme të informoj publikun për deklaratat mashtruese të bëra nga Kryenegociatori i Serbisë, z. Petar Petkoviç, të cilat qëllimisht mashtrojnë publikun serb në lidhje me diskutimet në takimin trepalësh. Më 10 qershor, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën publikoi deklaratën në faqen e saj të internetit. Në përkthim ndër të tjera, thuhet se ‘… gjatë takimit trepalësh në Bruksel me Prishtinën dhe me ndërmjetësimin e BE-së, delegacioni i Beogradit këmbënguli në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe paraqiti një plan për uljen e tensioneve …’”, thuhet në letrën e Bislimit.
Bislimi ka thënë se pala kosovare ishte e gatshme që në mënyrë konstruktive të diskutonte për çështjet e agjendës së paraqitur nga Sorensen dhe të rekomandonte edhe çështje tjera, ndërsa pala serbe ka insistuar për ndryshimin e agjendës dhe është përpjekur ta impononte një hierarki të re të çështjeve.
“Pasaktësia faktike është e lehtë për t’u verifikuar me emisarin, pasi takimi trepalësh diskutoi vetëm parimet themelore dhe rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, dhe nuk mundi të binte dakord për rendin e ditës në kategorinë ‘çdo çështje tjetër’. Kosova ishte e gatshme të diskutonte në mënyrë konstruktive pikat e rendit të ditës, siç propozoheshin nga emisari, dhe të rekomandonte çështje shtesë. Në një mënyrë shkatërruese, Serbia këmbënguli të braktiste plotësisht rendin e ditës dhe u përpoq të impononte një hierarki të re pikash”, ka shkruar ai.
Bislimi ka treguar se kjo e ka pamundësuar diskutimin për të paktën tetë tema të tjera me interes të qytetarëve të të dy shteteve, kështu që më pas diskutimet kanë vazhduar në formate bilaterale.
Ai ka bërë të ditur se Petkoviq, në konferencën për media pas takimeve, nuk bëri dallime mes asaj që është diskutuar në takimin trepalësh dhe asaj që është diskutuar në takimet dypalëshe.
Bislimi ka bërë të ditur gjithashtu se në faqen e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë është korrigjuar deklarata e Petkoviqit, duke shtuar se kjo është bërë pas intervenimit të emisarit të BE-së, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash.
“Deklarata është rishikuar, ndoshta pas ndërhyrjes së emisarit, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash”, ka shkruar ai.
Por, ai ka theksuar se edhe në versionin e korrigjuar të tekstit vërehet qartësisht përpjekja e Serbisë “për të nxitur urrejtje, për të prishur procesin e normalizimit dhe për të dekurajuar integrimin e serbëve të Kosovës” në institucionet shtetërore dhe në jetën politike e publike të Kosovës.
(r.m.)