Prishtinë, 22 tetor 2025 – Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Besnik Bislimi, ka pritur të mërkurën në Prishtinë Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Zyra e Kryeministrit njoftoi nëpërmjet një komunikate se në këtë takim është diskutuar për “rrugën drejt zbatimit të plotë” të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Në komunikatë thuhet se Bislimi i ka parashtruar dy kërkesa të cilat ai ka cilësuar si çështje që duhet të trajtohen me urgjencë: çështjen e personave të zhdukur me dhunë dhe çështjen e mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës për fermerët në Luginën e Preshevës.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar.
Gjithashtu me urgjencë duhet të trajtohet problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia dhe e cila refuzoi edhe në takimin e fundit në Bruksel të muajit të kaluar, që ta trajtojë këtë çështje”, thuhet në komunikatë,
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se zëvendëskryeministri Bislimi e ka ngritur edhe çështjen e linjave të interkoneksionit. Ai ka thënë se Serbia po i shkakton Kosovës dëme të mëdha me bllokimin e linjave të interkoneksionit, gjë që e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar edhe rëndësinë e heqjes së plotë të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
(r.m.)