Prishtinë, 29 maj 2025 – Hyrjet-daljet kryesore të Prishtinës janë bllokuar të enjten prej orës 10 nga kamionë e makineri të bizneseve të mëdha të Kosovës.
Bllokada dy orëshe, e organmizuar nga Odas Ekonomike e Kosovës. ishte protestë paralajmëruese e bizneseve të mëdha kundër furnizimit të tyre me energji elektike në tregun e hapur të energjisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se bizneset nuk mund të dalin menjëherë në tregun e hapur të energjisë elektrike, prandaj është e nevojshme një periudhë tranzicioni.
“Së bashku kemi organizuar këtë protestë për të kundërshtuar vendimin për daljen në treg të lirë, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucionet e tjera nuk kanë bërë përgatitjet për këtë”, ka thënë ai.
“Nuk ka qenë dëshirë e jona të dalim të protestojmë sot, kërkesa jonë është që institucionet të reflektojnë. Ne duam vetëm një fazë tranzicioni për të dalë në treg të lirë. Ne kemi kërkuar një vit për ta përgatitur tregun dhe bizneset. Çdo shtet ka fazë tranzicioni e ne nuk kemi”, ka shtuar Rafuna.
Bizneset e mëdha thonë se do të detyrohen të paguajnë energjinë me çmim trefish më të lartë. Ato paralajmërojnë se me rritjen e kostos së energjisë do të godasë rëndë aftësinë e tyre konkurruese në treg, gjë që do të çojë në falimentimin e tyre ose, në rastin më të mirë, në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre.
Komuniteti i biznesit kërkon nga ZRRE dhe nga Qeveria e Kosovës një afat kohor më të gjatë për kalimin e bizneseve në tregun er lirë të energjisë.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Sipas këtij vendimi, të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.
Ky vendim i prek kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor prej mbi 10 milionë eurosh. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla, të cilat shpengojnë rreth 37 për qind të energjisë së përgjithshme.
Raportohet se disa kompani kanë marrë oferta për energji elektrike me çmim deri në trefish më të lartë se tarifat e tanishme dhe se shumica e bizneseve nuk kanë arritur ende të lidhin kontrata me furnizuesit.
Bizneset kanë paralajmëruar masa të tjera, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe nuk adresohen nga autoritetet.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani furnizuese me energji, ndërsa një tjetër është në process të licencimit. Shumica prej tyre janë kompani nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni. Në mesin e kompanive të licencuara është edhe KESCO, e cila aktualisht i furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrial në Kosovë.
Sipas vendimit të ZRRE-së, pas1 qershorit, bizneset që nuk e kanë zgjedhur kompaninë furnizuese dalin automatikisht në këtë furnizues.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.
(r.m.)