Biznesmeni Julian Morina dërgohet në gjyq për ndërtimin e pallateve pa leje në Tiranë

Edmond Hoxhaj, BIRN

Prokuroria e Tiranës kërkon në gjykatë që ndërtuesi Julian Morina të përgjigjet para ligjit për ndërtime të paligjshme dhe tejkalim të lejeve ndërtimore prej 15,974 m², në disa pallate në Tiranë gjatë periudhës 2021-2024.

 

Prokuroria e Tiranës njoftoi të shtunën, më 16 nëntor, përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të biznesmenit të ndërtimit, Julian Morina, dhe shoqërisë së tij “Xheluks Construksion” sh.p.k., pasi akuzohen për ndërtim të paligjshëm në kryeqytet të dhjetëra mijëra metrave katrorë pallate, nën hundën e autoriteteve shtetërore.

Sipas prokurorisë, gjatë hetimeve mbi disa procedime penale të regjistruara ndaj Morinës dhe kompanisë që ai administron, është konstatuar se gjatë periudhës 2021-2024 janë tejkaluar në disa raste lejet e ndërtimit të marra për godina banimi dhe shërbime.

Në njoftim thuhet se është provuar se te Liqeni i Thatë, në Farkë, shoqëria “Xheluks Construksion” sh.p.k. ishte pajisur me leje ndërtimi për godina banimi dhe shërbimi me 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 kate mbi tokë dhe me 2 dhe 3 kate nën tokë. Në tejkalim të lejes rezulton se ka shtuar sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesë prej 2500 m².

“Ndërkohë që nga kontrollet në terren, u konstatua edhe një objekt tërësisht i ri me 7 kate dhe dy kate nën tokë, i ndërtuar pa leje ndërtimi me sipërfaqe 4622 m². Subjekti tejkaloi lejen e ndërtimit edhe në godinat e tjera në këtë zonë, duke krijuar sipërfaqe shtesë në lartësi dhe volum me rreth 3065.8 m²”, thekson prokuroria.

Hetimi është shtrirë edhe në punimet e kryera nga kjo shoqëri në Rrugën e Elbasanit, ku ka rezultuar se një pjesë e tyre kanë dalë jashtë lejes së miratuar. Në një objekt në këtë rrugë, është konstatuar një shtesë ndërtimi prej 5866.88 m².

Në përfundim të hetimeve, prokuroria vlerëson se ndërtuesi Julian Morina duhet të përgjigjet para ligjit për ndërtimet e paligjshme të kryera nga shoqëria “Xheluks Construksion” sh.p.k. dhe për tejkalim të lejes së ndërtimit me një sipërfaqe totale prej 15,974.88 m².

Qeveria tentoi të amnistonte biznesmenët që kishin ndërtuar pa leje në Tiranë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave të miratuar më 7 shtator 2022, që u jepte ndërtuesve të mëdhenj një mundësi për t’i ligjëruar shtesat apo godinat e paligjshme, në këmbim të një pagese ose dhënies së sipërfaqeve në favor të shtetit.

“Ta dhurojnë për popullin dhe për shtetin çdo kat dhe çdo metër katror shtesë…,” deklaroi Rama atëherë me tone populiste, ndërsa nga ana tjetër foli për falje duke u ofruar ndërtuesve një komardare shpëtimi nga ndjekja penale.

Aksioni i qeverisë në dhjetor të vitit 2022 që nisi me nënshkrimin nga kryeministri Rama të 15 procedurave konfiskimi të ndërtimeve pa leje në kryeqytet, u përball me kritika nga ekspertët që e panë me dyshim bazën ligjore dhe suksesin afatgjatë të këtij aksioni.

Por një investigim i BIRN zbuloi se qeveria, jo vetëm që ua ktheu godinat mbrapsht shkelësve të ligjit duke ua shitur me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut, por u amnistoi atyre detyrime fiskale për lejet e reja të ndërtimit në një vlerë që llogaritet në gati 2 milionë euro.

(Reporter.al)