Bjellorusia i shpall “ekstremiste” dy poezi të shekullit 19 kundër Perandorisë Ruse

Minsk, 18 gusht 2023 – Dy poezi të poetit bjellorus të shekullit 19, Vincent Dunin-Martsinkevich, të cilat kanë të bëjnë me kryengritjen nacionaliste kundër Perandorisë Ruse, janë shpallur “ekstremiste”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Poezitë “Erërat lundrojnë” dhe “Biseda e një të moshuari” janë shkruar gjatë rebelimit të Kastus Kalinowskit të vitit 1863 nga bjellorusët dhe polakët e pjesës së Polonisë që atëbotë ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse.

Poeti Vincent Dunin-Martsinkevich është akuzuar në atë kohë për përhapje të ideve që janë të “dëmshme për autoritetet”. Ai është arrestuar, mirëpo pjesëmarrja e tij e drejtpërdrejtë në kryengritje nuk është vërtetuar kurrë.

Veprat e tij tani janë përfshirë në kurrikulat shkollore dhe studiohen e komentohen vazhdimisht.

Ekspertët dhe kritikët e konsiderojnë ndalesën e poezive si dëshmi të kalimit të Bjellorusisë në totalitarizëm, pasi shumë kundërshtarë të regjimit janë nacionalistë që nuk e pëlqejnë qëndrimin e Lukashenkas pro Rusisë.

Lideri autoritar bjellorus Alexander Lukashenka e ka shtrirë kontrollin pas zgjedhjeve të vitit 2020, rezultati i të cilave konsiderohet të jetë manipuluar. Prej atëherë Lukashenka ka rritur mbështetjen për Rusinë, si edhe agresionin rus ndaj Ukrainës.

Shumë kritikë të qëndrimit prorus të Lukashenkas janë larguar nga vend ose janë nëpër burgje.

(r.m.)