Nga Ruben Avxhiu
SHBA– Disa të dhëna i kam marrë prej bisedës në emër të gazetës “Illyria” që botohet në New York. Biseduam për prejardhjen e tij, angazhimin profesional e personal në çështjet e të drejtave civile, si dhe rolin e rrënjëve shqiptare në formimin e tij si njeri.
Blerim Elmazi është një avokat, nga firma ligjore Merritt Law Firm, LLC, në Dallas, Texas. Ai specializohet në çështje të të dretave civile.
Me aeroplanin privat të Jay-Z, për të përfaqësuar në gjyq viktimën Ahmaud Arbery
Blerim Elmazi është një nga dy avokatët që po përfaqësojnë afrikano-amerikanin Ahmaud Arbery, i cili u vra ndërsa po bënte vrapin e mëngjesit në muajin shkurt, në shtetin Georgia. Rasti ka bërë bujë dhe procesi gjyqësor po ndiqet me vëmendje në media.
Vrasësit, baba e bir, thonë se e vranë për vetëmbrojtje dhe se ai po shikonte për të vjedhur në lagjen e tyre. Mirëpo, familja dhe shumë vëzhgues thonë se nuk është rasti i parë që një zezak në SHBA humb jetën duke bërë gjërat më normale të ditës, si vrapi i mëngjezit.
Emri i Blerimit u bë i njohur sidomos në median sociale kur në 4 qershor, në mungesë të mjeteve të transportit, për të shkuar nga Texas në Georgia për një seancë të papritur gjyqësore, ata u ndihmuan nga ylli i muzikës “rap”, Jay-Z.
Ai vuri në dispozicion avionin e tij privat që Blerimi dhe avokati tjetër S. Lee Merritt, emrin e të cilit mban edhe firma e specializuar në çështje të të drejtave civile të arrinin në kohë në Brunswick, Georgia
Si ka treguar vetë Blerim Elmazi në llogarinë e tij në Instagram, atij i erdhi një thirrje telefonike në orën 1 të natës, nga “Roc Nation”, agjensia e spektakleve që ka bërë të famshëm jo vetëm Jay-Z po edhe bashkëshorten e tij, këngëtaren Beyonce, me anë të të cilës e njoftuan se kishin marrë lejen që të përdorte avionin e tyre privat.
Një mesazh të ngjashëm postoi në Instagram edhe kolegu i tij: Kur të duhet të jesh patjetër në Gjykatë për klientin tënd dhe protestuesit për drejtësi… Jay-Z dërgon xhetin e tij privat”.
Prindërit shqiptarë nga Ohri në Maqedoninë e Veriut
Blerim Elmazi është i lindur dhe rritur në Texas, por prindërit i ka shqiptarë dhe familja e tij jeton në Ohër të Maqedonisë. Prindërit u vendosën në SHBA rreth 40 vjet më parë.
Po si ndodhi që u përfshi me një çështje gjyqësore kaq në qendër të vëmendjes amerikane?
Blerimi mbaroi shkollën e lartë me dy diploma në shkenca politike dhe histori (Universiteti i Texas-it të Veriut). Pas kësaj filloi studimet në fushën e drejtësisë (Universiteti Metodist i Jugut, në Shkollën Dedman të Drejtësisë.)
“Gjithmonë kam pasur pasion për rejtësinë sociale dhe të drejtat civile”, thotë ai për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”.
“Si student në shkollën e drejtësisë, organizoja protesta për viktimat e dhunës policore dhe kjo bëri që të lidhem me Lee Merritt, që është një avokat i të drejtave civile”.
Kur mbaroi shkollën, menjëherë iu bashkua si avokat firmës së tij që ka mbrojtur në vite një numër viktimash që kanë tërhequr fuqishëm vëmendjen e medias.
Përpara se të vinte puna te Ahmaud Arbery, Blerim Elmazi shpjegon se firma ka përfaqësuar Botham Jean (njeriun që u vra në apartamentin e tij nga një police që pretendon se kujtoi se kishte hyrë në apartamentin e saj), Atatiana Jefferson (gruaja që u qëllua me plumba ndërsa ndodhej në shtëpinë e saj duke luajtur lojëra elektronike me të nipin), viktima e fundit që tronditi vendin George Floyd si dhe shumë raste të tjera.
Është e jashtëzakonshme që një avokat që sapo ka mbaruar shkollën është gjendur në mes të betejave ligjore më të njohura të ditës. Blerim Elmazi e gjen te kultura dhe trashëgimia shqiptare frymëzimin për angazhimin e tij profesional dhe qytetar.
“Mendoj se ne e kemi përjetuar vetë në historinë tonë atë lloj shtypje që u bëhet njerëzve”, thotë ai për gazetën “Illyria”. “Në SHBA shohim njerëz që përjetojnë shtypje e dhunë sa herë që ndeshen me një oficer policie”.
Ai është krenar që po luan vetë një rol personal në këtë drejtim dhe beson se e kemi në dorë të ndërtojmë një shoqëri më të mirë.
“Eshtë detyra jonë që ta çmontojmë atë sistem dhe të krijojmë një sistem të ri e të drejtë në vend të tij”, thotë Blerim Elmazi.