Blerim Isufaj pranon se ai e kishte miratuar tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit

Prishtinë, 29 dhjetor 2023 – Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka pranuar se urdhërarresti që ishtë lëshuar në vitin 2021 ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ishte tërhequr për një kohë.

Isufaj ka thënë se tërheqja e urdhërarrestit është bërë me miratimin e tij, por që nuk mund të tregojë arsyet se pse ka ndodhur ajo.

“Është çështje e brendshme e prokurorisë, ne nuk mund të ndajmë shumë detaje. Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim, është tërheq për një kohë urdhërarresti, por më pas i është kthyer”, ka thënë ai të premten, në një konferencë për media.

I pyetur nga gazetarët se a ka qenë në dijeni për tërheqjen e urdhërrestit ndaj Radoiçiqit, ai ka thënë se pa miratimin e tij kjo nuk do të kishte ndodhur, por nuk i tregoi arsyet.

“Pa miratimin tim kjo nuk do të kishte mundur të ndodhte, por arsyet nuk mund t’i jap. Opinioni nuk mund t’i dijë të gjitha”, është shpehur ai.

Isufaj ka pranuar se Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. Ai ka thënë se aktakuza ngritet kur prokuria të sigurojë të gjitha provat lidhur me sulmin.

Isufaj i ka shpërfillur kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vonesën e aktakuzës. Ai ka thënë se kjo nuk është çështje e Kurtit.

“As nuk dua të komentoj. Nuk është çështje e tij. Ne i ngrisim aktakuzat kur kemi prova. Askush nuk mund të na tregojë se kur të ngrisim aktakuza”, është shpehur ai.

Blerim Isufaj u është drejtuar medieve në cilësinë e Kryeprokurorit të Shetit. Ai ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për këtë pozitë, por nuk ishte dekretuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Isufaj është propozuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shetit edhe në procesin e përsëritur, pak ditë më parë. Ky propozim përsëri i është dërguar për dekretim Presidentes Osmani, e cila duhet të vendosë brenda afatit të pëcaktuar me ligj dhe me Kushtetutë.

(r.m.)