Blerim Isufaj shkarkohet nga detyra e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës

Prishtinë, 2 tetor 2026 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njoftoi se sot e ka shkarkuar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) informon opinionin publik se, në takimin e mbajtur më 2 tetor 2026, pas shqyrtimit të çështjes në pajtim me kompetencat e tij ligjore dhe pas vlerësimit të rrethanave relevante institucionale dhe profesionale, ka vendosur për largimin nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj. Ndërsa, funksionin e prokurorit do ta ushtroj në këtë prokurori”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Dren Paca është emëruar ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorinë Speciale, “deri në plotësimin e pozitës në pajtim me procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”.

Në komunikatën e KPK-së thuhet se vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë “pas shqyrtimit të çështjes, vlerësimit të rrethanave relevante institucionale dhe profesionale dhe në bazë të kompetencave ligjore të Këshillit”.

Aty thuhet se Isufaj është shkarkuar, për “keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave” dhe jo për arsye jashtë juridiksionit të KPK-së.

Në komunikatë thuhet se këto përfundime janë bazuar në vlerësimin e performancës së Isufajt të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.

“Këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatë.

KPK ka thënë se në mbledhjen e sotme është shprehur shqetësimi për gjendjen dhe efikasitetin e Prokurorisë Speciale gjatë periudhës 4 vjeçare të menaxhimit nga Isufaj.

“Këshilli ka vlerësuar se drejtimi i PSRK-së nuk mund të reduktohet vetëm në ushtrimin formal të kompetencave administrative, pasi Kryeprokurori bart përgjegjësi për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit”, thuhet në komunikatë.

KPK ka thënë se “do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e menaxheriale të Prokurorisë Speciale”.

“KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Shkarkimi i Isufajt vjen një muaj pasi KPK-ja nuk e miratoi raportin e punës Prokurorisë Speciale për vitin 2025.

Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale më 2019 dhe është rizgjedhur më 2023. Ai ka qenë personi më i kritikuar në sistemin prokurorial të Kosovës nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e konsideronte si pengesë për reformimin er sistemit propkurorial të Kosovës.

“Shumica e problemeve në prokurori kanë emër të përveçëm, e që është Blerim Isufaj”, kishte deklaruar në një rast Kryeministri Albin Kurti.

Isufaj ishte zgjedhur për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por ai nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me arsyetimin se ishin gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes.

(r.m.)

Comment

*