Blinken bën thirrje për më shumë ndihma për Ukrainën

Bruksel, 4 prill 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të enjten se më shumë ndihmë nevojitet urgjentisht për Ukrainën pas takimeve me ministrat e jashtëm të NATO-s, mes shqetësimeve në rritje se Rusia po zgjeron industrinë e saj të mbrojtjes me mbështetjen e Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.

“Bazuar në atë që dëgjova sot… të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të dyfishojnë përpjekjet për të gjetur burimet për të cilat ka nevojë Ukraina”, u tha zoti Blinken gazetarëve pas takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.

Ndërsa vendet anëtare të NATO-s i kanë ofruar veç e veç armë Ukrainës, organizata në tërësi është përqendruar në ofrimin e ndihmës jo ushtarake nga frika e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë përmes një përfshirjeje më të drejtpërdrejtë.

“Më shumë se 30 vende tani kanë nënshkruar ose janë në proces të negociatave për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara po punojmë për një marrëveshje dypalëshe me Kievin”, tha ai.

Më herët të enjten, Sekretari Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba në Bruksel, ku të dy diskutuan situatën në fushën e betejës dhe mënyrat për të forcuar sektorin energjetik të Ukrainës, i cili po përballet me sulme të vazhdueshme nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një samit të NATO-s në Uashington nga 9 deri më 11 korrik. Sekretari Blinken diskutoi mbi përparësitë e samitit me zotin Kuleba ndërsa NATO shënon 75 vjetorin e saj.

“Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Sekretari Blinken. “Qëllimi samitit është të ndihmojmë në ndërtimin e një ure dhe një rruge të qartë për avancimin e Ukrainës drejt anëtarësimit.”

Gjatë konferencës për shtypin të enjten, Sekretari Blinken nënvizoi gjithashtu nevojën urgjente të miratimit nga Kongresi amerikan të ndihmës për Ukrainën.

Kongresi nuk e ka miratuar ende kërkesën e administratës së Presdentit Biden për më shumë ndihma për të furnizuar forcat e armatosura të Ukrainës me armë dhe municione për përballjen me ofensivat e forcave ruse.

Presidenti Joe Biden i ka bërë thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët që të miratojë ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve e kanë zvarritur diskutimin e kësaj çështje për muaj të tërë, duke i dhënë përparësi çështjeve të brendshme.

Të mërkurën, diplomati i lartë amerikan zhvilloi bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg mbi mënyrat për forcimin e mbështetjes ushtarake afatgjatë të aleancës për Ukrainën.

Këtë javë, ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar një propozim për krijimin e një fondi pesë-vjeçar prej rreth 108 miliardë dollarësh për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës.

Plani, i paraqitur nga zoti Stoltenberg, përfshin përfshirjen më të drejtpërdrejtë të NATO-s në koordinimin e ndihmës ushtarake të ofruar nga vendet anëtare, një rol që deri tani është përmbushur nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili përbëhet nga më shumë se 50 vende.

Një vendim përfundimtar mbi këtë propozim nuk do të merret deri në samitin e NATO-s në korrik. Ai kërkon konsensus midis 32 anëtarëve të tij.

Të enjten, ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan edhe me partnerët e tyre nga rajoni i Indo-Paqësorit.

“Koreja e Veriut, Kina dhe Irani po mbështesin agresionin e Rusisë në Ukrainë në mënyra të ndryshme, kështu që kjo tregon se kemi të bëjmë me një çështje globale të sigurisë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ne të punojmë së bashku me partnerët tanë të Azi-Paqësorit”, tha zoti Stoltenberg të mërkurën.

(Zëri i Amerikës)