Blinken bisedoi me Kurtin dhe Vuçiqin për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Prishtinë / Beograd, 26 qershor 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar të hënën biseda të ndara telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç duhet të pritej, në fokus të bisedave ka qenë situata në pjesën veriore të Kosovës dhe sekretari Blinken u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve dhe për kthim në tryezën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kryeministri Kurti ka thënë se takimi trepalësh në Bruksel nuk është realizuar për shkak të mungesës së gatishmërisësë të Vuçiqit.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’ rast kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kryeministri Kurti e Sekretari Blinken, ndër të tjera, kanë folur edhe përzgjedhjet e reja lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen në kushte të vendosjes së rendit e ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

Në njoftim  thuhet se Kryeministri Kurti e ka theksuar nevojën për zbatim të plotë e pa kushte të Marrëveshjes Bazë për të cilën janë pajtuar palët në takimin e tyre të fundit në Bruksel.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksdandar Vuçiq, përmes një postimi në Instagram, ka thënë se gjatë bisedës me Sekretarin Blinken ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.

“I thash [sekretarit Blinken] se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, ka shkruar ai.

Vuçiq ka treguar se gjatë bisedës me Sekretarin Blinke, ka kërkuar dorëheqjen e katër kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore të Kosovës dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale. Ai ka thënë se përmbushja e këtyre kërkesave ka “rëndësi kyçe për uljen e tensioneve” në pjesën veriore të Kosovës.

Biseda telefonike e sekretarit Blinken me Kurtin e Vuçiqin u zhvillua në kuadër të përpjekjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe përvazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)