Blinken e fajëson Hamasin për zvarritjen e marrëveshjes për armëpushim në Gazë

Kajro, 10 qershor 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka fajësuar të hënën Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – se po e zvarrit arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës.

Kryediplomati amerikan e nisi sot një turne diplomatik në Lindjen e Mesme për ta shpalosur propozimin më të fundit të presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Duke folur pas një takimi në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Blinkeni tha se Hamasi është pala e vetme që ende nuk është pajtuar me propozimin e Bidenit. Uashingtoni tha se propozimi u mbështet nga Izraeli madje edhe para se Bideni ta bënte publik më 31 maj.

Uashingtoni thotë se propozimi parashikon armëpushim në faza, që përfundimisht çon drejt dhënies fund të luftës.

Megjithatë, Izraeli thotë se do të pajtohet vetëm me ndërprerje të përkohshme të luftës derisa Hamasi të mposhtet plotësisht, ndërsa Hamasi thotë se nuk do ta pranojë një armëpushim, i cili nuk ofron garanci se lufta do të përfundojë.

“Mesazhi im për qeveritë në rajon, për njerëzit në rajon, është: Nëse dëshironi armëpushim, bëni trysni Hamasit të thotë ‘po’”, tha Blinken për gazetarë, para se të largohej nga Egjipti për t’u nisur drejt Izraelit, ku do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Nëse dëshironi t’ua lehtësoni vuajtje e tmerrshme palestinezëve në Gazë, bëni trysni Hamasit të thotë ‘po’. Nëse dëshironi të kthehen të gjitha pengjet në shtëpitë e tyre, bëni trysni Hamasit të thotë ‘po’. Nëse dëshironi që t’i vini edhe izraelitët, edhe palestinezët barabartë në rrugën drejt një paqeje dhe sigurie më të qëndrueshme, bëni trysni Hamasit të thotë ‘po’”, tha ai.

Lufta në Gazë ka nisur tetorin e kaluar, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke zhvilluar një fushatë intensive sulmesh në Gazë, gjatë së cilës, sipas autoriteteve të Hamasit, janë vrarë mbi 37.000 njerëz.

Vizita e Blinkenit vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka prezantuar më 31 maj një plan për armëpushim nga Izraeli, i cili përfshin fundin e përhershëm të armiqësive, lirimin e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë, si dhe rindërtimin e Gazës.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*