Blinken: Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha zotimet në dialogun e Brukselit

Vjenë, 15 mars 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar edhe një herë që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai e ka cilësuar sërish dialogun si shtegun e duhur për të ecur përpara.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, ka thënë ai në Vjenë, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.

Blinken ka thënë se ai e ka përzemër Ballkanin Perëndimor, pasi ky rajon ka qenë fokusi i tij në vitet ’90, kur e kishte nisur punën si zyrtar amerikan.

Ai ka thënë se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk u duhet kthim prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e Brukselit dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan me marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve midis tyre, ndonëse nuk e nënshkruan atë. Më këtë marrëveshje, ndër të tjera, kërkohet që të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Brukseli thotë se palët nuk kanë nisur ende ta zbatojnë marrëveshjen, ndërsa vetë palët e akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti për t’i zbatuar ato.

(r.m.)