Blinken: Na ka befasuar shpejtësia e përparimit të talibanëve

Uashington, 16 gusht 2021 – Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden u është përgjigjur kritikave lidhur me tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka pranuar se shpejtësia e marrjes së kontrollit nga talibanët e ka  befasuar administratën e presidentit Biden, Por, ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara e kanë kryer punën e tyre në Afganistan dhe e kanë shmangur përfshirjen në luftën civile që i kërcënohet këtij vendi.

“Ne kemi qëndruar në Afganistan 20 vjet”, ka deklaruar Blinken për televizionin ABC.

“Në Afganistan e kanë humbur jetën 2.300 shtetas amerikanë. Megjithatë, për fat të mirë, kemi arritur të realizojmë objektivin që e kishim përcaktuar. Presidenti (Biden) ka marrë vendim për përfundimin  e luftës, në mënyrë që SHBA të mos përfshihet në luftën qytetare të Afganistanit”, ka deklaruar Blinken.

Presidenti Biden ka pasur të dielën një takim online me këshilltarët e tij për Sigurinë Kombëtare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet në Afganistan.

Ditët në vijim konsiderohen vendimtare për të konstatuar nëse SHBA mund ta kontrollojë situatën në Afganistan, së paku kthejë deri në njëfarë dore.

Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, në një komunikatë të përbashkët, kanë thënë se janë në fazën finale të përgatitjeve për tërheqje të sigurtë të personelit amerikan dhe të vendeve aleate nga Afganistani.

Kritikët e Bidenit thonë se vendimi për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistan i ka zhvlderësuar përpjekjet amerikane 20 vjeçare në këtë vend dhe e ka vënë në rrezik sigurinë e popullit afgan.

Ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, e ka akuzuar administratën e Bidenit se ka dështuar në Afganistan. (r.m.)