Blinken: Rruga drejt një shteti palestinez, e nevojshme për sigurinë e Izraelit

Davos, 17 janar 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti të mërkurën nevojën për gjetjen e një rruge që do të çonte drejt krijimit të një shteti palestinez. Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davosit, sekretari Blinken tha se pa një shtet palestinez, Izraeli nuk do të ketë kurrë siguri të vërtetë.

Sekretari Blinken tha se një shtet palestinez është i nevojshëm për qendrueshmërinë afatgjatë të rajonit.

“Duhet të jetë një qeverisje, një strukturë qeverisjeje, që të ketë autoritetin t’i ofrojë popullit palestinez atë që dëshiron, që plotëson nevojat e tij”, tha zoti Blinken.

Por ai theksoi se që një qeverisje e tillë të jetë efektive, duhet të krijohen kushtet e duhura.

“Me fjalë të tjera, me mbështetjen, me ndihmën e Izraelit, jo me kundërshtimin e tij aktiv, sepse edhe autoriteti më efektiv do të ketë vështirësi nëse përballet me kundërshtimin aktiv të një qeverie izraelite.”

Zoti Blinken e pranoi se për të arritur në atë pikë, kërkohen vendime të vështira dhe një mentalitet i hapur drejt kësaj perspektive.

Por ai shton se një bashkërendim mes vendeve arabe dhe Izraelit në rajon, është i nevojshëm për të izoluar Iranin, të cilin kryediplomati amerikan e quajti “shqetësimin më të madh në aspektin e sigurisë”.

Një gjë e tillë tha ai, është e nevojshme gjithashtu për të shmangur vuajtjet si të izraelitëve dhe palestinezëve. Ai tha se jetët e të dyja palëve janë njësoj të vlefshme.

“Ajo që po shohim çdo ditë në Gazë, është e tmerrshme dhe vuajtjet që shohim mes burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm më trishtojnë pa masë”, tha ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu drejton një qeveri të krahut të djathtë që është kundër shtetit palestinez. Ai ka thënë se lufta do të jetë e gjatë, duke theksuar se ajo drejtohet ndaj “një boshti të së keqes”, të udhëhequr nga Irani dhe tre grupet që mbështesin atë në rajon: Hamasi, Hezbollahu dhe Houthi.

(Zëri i Amerikës)