Blinken: Rusia po paguan kosto të lartë në Ukrainë

Bruksel, 9 shtator 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se vendimi i presidentit Vladimir Putin, për të dërguar përforcime në rajonin e Harkivit të Ukrainës tregon për humbjet e mëdha që po pësojnë forcat ruse në Ukrainë.

“Ka një numër të madh të forcave ruse që ndodhen në Ukrainë dhe, për fat të keq, në mënyrë tragjike, të tmerrshme, Presidenti Putin ka demonstruar se do të përfshijë shumë njerëz në këtë luftë, me kosto të lartë për Rusinë”, tha ai, një ditë pas vizitës në Kiev.

Blinken e bëri këtë deklaratë para gazetarëve në selinë e NATO-s, në Bruksel, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg.

Më herët, agjencitë ruse të lajmeve kishin raportuar se forcat ruse po rivendoseshin në rajonin e Harkivit, si kundërpërgjigje ndaj kundërofensivës ukrainase në shkallë të gjerë. TASS dhe RIA Novosti shpërndanë video të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë ku shihen lëvizje të automjeteve e pajisjeve ushtarake me flamuj rusë dhe me shkronjën “Z”, një simbol i fushatës ushtarake të Rusisë, në një rrugë të asfaltuar.

Zyrtari lokal i Balakliyas, Vitaliy Gançev, i instaluar nga Moska, tha se pranë një qyteti në rajonin e Harkivit janë duke u zhvilluar “beteja të ashpra”. Më herët Ukraina tha se e këtë qytet e kishte rimarrë nën kontroll të enjten.

Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm, tha më 8 shtator se pushtimi rus i Ukrainës është një dështim ushtarak, pasi forcat e Moskës që kanë arritur vetëm “sukses të vogël taktik në pjesë të ndryshme të Ukrainës lindore”.

(Sipas REL)