Uashington, 20 gusht 2021 – Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të premten se lidhjet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të palëkundura.
Në një postim në Twitter lidhur me dorëzimin e 35 mijë e 100 dozave të vaksinës “Pfizer” në Prishtinë, Blinken ka shkruar se kjo dhuratë “përfaqëson vlerat tona të përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura mes dy popujve tanë”.
“Sot SHBA-ja dhuroi kontingjentin e parë prej 500 mijë dozave të Pfizerit për Kosovën, duke e afruar për 20 për qind objektivin e vet të vaksinimit. Të dërguara nëpërmjet COVAX-it, kjo dhuratë i përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis popujve tanë”, ka shkruar Blinken në Twitter.
Today the U.S. donated the first tranche of 500,000 Pfizer doses to Kosovo, bringing it 20 percent closer to reaching its vaccination goal. Delivered via COVAX, this gift represents the shared values and unwavering bonds between our people. Together we can defeat COVID-19. pic.twitter.com/1mavvExE5p
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) August 20, 2021
Sekretari Blinken ia ka bashkangjitur postimit një foto nga dorëzimi i vaksinave të dhuruara nga SHBA.
Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua të premten në Prishtinë. Në këtë ceremoni morën pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurtid he ambasadori i SHBA-së në Kosovë,Philip Kosnett.
“Isha e bindur që presidenti Biden, siç e ka dëshmuar historikisht do ta kuptonte drejt dhe do të bashkëndjente me një situatë të tillë meqë administrata e tij e ka vaksinimin prioritet që nga dita e parë e qeverisjes dhe e kupton qartë rëndësinë e këtij procesi jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por për çdo cep të globit”, tha Presidentja Osmani.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për SHBA-të, duke i cilësuar si “miqdhe aleatë.
“Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.
(r.m.)