“Bllaca ‘99” – dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Prof. Dr Skender Asani

Teksa shkruante për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, shkrimtari ynë Ismail Kadare e kishte kapur këtë moment nga një këndvështrim krejt të veçantë:

“Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do ta mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukura, me rrudhat e pleqve, me armatën e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës…Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që iu ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”, shkruante Kadare.

Edhe ne sot, kur po kujtojmë golgotën e Bllacës, e cila ndodhi para një çerek shekulli, në fakt po i shpallim luftë harresës, duke risjellë në kujtesë ato ngjarje që i dhanë dinamikë më të përshpejtuar procesit të çlirimit të Kosovës, por edhe e globalizuan solidaritetin njerëzor të botës demokratike, që erdhi si rezultat i fushatës ajrore t՞ NATO-s kundër makinerisë vrastare të regjimit të Millosheviqit.

Pra ne nuk po e harrojmë të kaluarën e dhimbshme, por po e çmojmë më shumë të ardhmen, e cila duhet të jetë më e sigurt, më dinjitoze dhe, fundja, më e njerëzishme.

Sa herë që puna bie të organizojmë ndonjë homazh, si ky i sotmi, vazhdimisht më ka përcjellë një dilemë në formë të pyetjes: A mjafton ta freskojmë kujtesën vetëm me ngjarje e evente, nëse ato nuk legjitimohen sipas një kulture institucionale-shtetërore?

Në kujtim të kalvarit të gjatë të të dëbuarve të ‘99-ës që përfundoi në luginën e Bllacës, para pesë vjetësh, këtu ku jemi sot, u vu gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’. Kjo ngjarje e pati bekimin e dy qeverive tona, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ideator dhe kreator i kësaj nisme ishte Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup.

Ky ishte hapi i parë drejt legjitimimit të kujtesës në formë institucionale, për çka instituti ynë  çdo vit u ka bërë kërkesa zyrtare institucioneve të Kosovës, përfshirë Kryeministrinë e Presidencën, që ky vend i quajtur Bllacë të ketë një trajtim më substancial, duke u nisur nga fakti se pikërisht këtu u ngjiz shtendërtimi i Kosovës , si rrjedhojë e vuajtjeve të njerëzve pas gjithë atyre ballafaqimeve jo të barabarta mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe soldateskës kriminale serbe të Millosheviaqit, por edhe si rrjedhojë e hakmarrjes ndaj shqiptarëve pas fillimit të bombardimeve mbi caqet militariste serbe. Ideja jonë ishte dhe mbetet që Bllaca të shndërrohet në një vend pelegrinazhi për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide u dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, por shprehim edhe një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, ashtu siç po mundohet të bëjë aktualisht edhe politika zyrtare e Beogradit, e cila është tepër e shqetësuar pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë, në korrik të vitit 1995, ku forcat serbe i vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë, brenda pak ditësh. Pritet që gjenocidi serb të marrë përgjigjen e merituar edhe në Kombet e Bashkuara, më 24 prill të këtij viti, andaj ky është edhe një moment reflektimi dhe mobilizimi institucional që, edhe me ndihmën e diplomacisë së Shqipërisë, edhe Kosova dhe shqiptarët të zënë vendin e merituar në nivelet ndërkombëtare të ndëshkimit dhe penalizimit të Serbisë, ku ajo përfundimisht do të shpallej përgjegjëse dhe autore e shumë krimeve makabre që e mbajnë vulën e gjenocidit në Kosovë. Do të doja që në 24 prillin e vitit të ardhshëm në axhenëdn e OKB-së të përfshihet edhe një rezolutë, e cila do ta bënte Serbinë përgjegjëse për gjenocidin e kyrer në Kosovë. 

Më vjen mirë që këtu, në mesin tonë, sot ndodhet edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili e pëfaqëson zërin e qindra mijëra shqiptarëve që në ato ditë të ftohta të marsit e prillit të 1999-ës ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Zatën, ky ishte qëllimi final i regjimit të Millosheviqit, i cili përmes operacionit ushtarak “Patkoi”, të realizojë objektivin shekullor serbomadh për një Kosovë pa shqiptarë.

Shumë reporterë të huaj, por edhe vendorë, atëbotë Bllacën e kishin përshkruar si një vend ferri, ku vdekja ishte më afërt se këmisha e qullosur me djersë dhe gjak. Në skenën e quajtur ‘Bllacë’ u luajt një tragjedi njerëzore, ndërsa regjisorët nga Beogradi kishin vënë në skenë fatin e qindra mijëra njerëzve që ishin në kërkim të shpëtimti të jetëve.

Megjithatë, ndodhi mrekullia. Gjithë ata lumej të rrëmbyeshëm të dëbuarish në Bllacë u fashitën për pak ditë, sepse rrezet e ngrohta të solidaritetit njerëzor triumfuan mbi retë e zeza të shfarosjes. U aktivizuan motrat dhe vëllezërit nga Maqedonia e Veriut, të cilët ndihmën e tyre e dhanë përmes organizatave humanitare, por edhe mbi baza individuale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dështonte ideja e Gligorovit për hapjen e një korridori që shqiptarët e dëbuar nga Kosova të dërgoheshin në vende të treat, ashtu që ata as të mos shkelnin në tokën e Maqedonisë së Veriut. “Korridori” i Gligorovit ishte menduar si zgjatim i operacionit “Patkoi” të Millosheviqit, në mënyrë që projekti për spastrimin etnik të trojeve shqiptare të zhvillohej papengueshëm. Por, ishin vetë shqiptarët e Maqedonisë Veriore  ata që, me bujarinë dhe mikpritjene tyre vëllazërore, u bënë pengesë për realizimin e ideve fashizoide dhe që, menjëherë pas 12 qershorit të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës të ktheheshin pa vonesë në rrënojat e shtëpive të tyre të rrënuara e të djegura, për t’ua dhënë goditjen përfundimtare projekteve gjenicidale serbe.

Në përmbyllje të fjalës sime sot do të doja të rikujtoj edhe një herë se Kosova duhet të përgatitet që një ditë, kur të plotësohen kushtet, në Gjykatës Ndërkombëtare Penale të ngre padi kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë. Bllaca, si vend ku gjenocidi serb la gjurmë të pashlyeshme, mund të shërbejë si pikë orientimi i kësaj padie, por edhe gurthemel i kujtesës institucionale për viktimat e projekteve për Serbinë e Madhe.

Bllacë, 08. 04. 2024

(Fjalë e mbajtur në shënimin e 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99”)