Uashington, 9 korrik 2024 – Shumica e studentëve të mjekësisë të universitetit “Johns Hopkins” nuk do të paguajnë tarifë studimi falë një donacioni prej 1 miliard dollarësh nga organizata filantropike “Bloomberg Philanthropies” për të cilën u njoftua të hënën.
Duke nisur nga kjo vjeshtë, ky donacion do të mbulojë tarifat e plota të studentëve të mjekësisë që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 300 mijë dollarë. Studentëve që vijnë nga familje që ftojnë deri në 175 mijë dollarë do t’u mbulohen shpenzimet e përditshme dhe tarifat e shkollimit.
Sipas organizatës filantropike “Bloomberg Philanthropies” aktualisht pothuajse dy të tretat e të gjithë studentëve që kërkojnë të diplomohen në mjekësi në universitetin “Johns Hopkins” kualifikohen për ndihmë financiare dhe 45 për qind e studentëve aktualë do të marrin gjithashtu mbështetje financiare për shpenzimet e jetesës. Shkolla vlerëson se mesatarisht kreditë e të diplomuarve do të ulen nga 104,000 dollarë aktualisht në 60,279 dollarë deri në vitin 2029.
Ky donacion do të rrisë gjithashtu ndihmën financiare për studentët në degët e infermierisë, shëndetit publik dhe shkollave të tjera pasuniversitare.
“Duke tkurrur barrierat financiare në këto degë kyçe, ne mund të ndihmojmë më shumë studentë që të ndjekin karrierën që duan dhe që në të ardhmen t’u shërbejnë më shumë familjeve dhe komuniteteve që kanë nevojë për ndihmë”, tha në një deklaratë të hënën, Michael Bloomberg, themelues i organizatës filantropike “Bloomberg Philanthropies” dhe i kompanisë “Bloomberg LP”.
Zoti Bloomberg u diplomua në degën e inxhinierisë elektrike në universiteti “Johns Hopkins” në 1964.
Cdo qindarkë do të shkojë tek studentët, tha Ron Daniels, president i Universitetit Johns Hopkins.
“Mike është prekur vërtet shumë nga sfidat me të cilat u përballën ata që ushtrojnë këtë profesione gjatë periudhës së pandemisë dhe përpjekjet heroike që ata kanë bërë për të mbrojtur dhe ofruar kujdes për qytetarët amerikanë gjatë pandemisë”, tha zoti Daniels gjatë një interviste. “Mendoj se ai donte të ofronte këtë mbështetje për të bërë të mundur që më të mirët dhe më të zgjuarit të mund të ndiqnin shkollën e mjekësisë dhe shkollën e infermierisë dhe shëndetit publik”.
Organizata filantropike “Bloomberg Philanthropies” i dhuroi 1.8 miliardë dollarë universitetit “Johns Hopkins” në 2018 për të bërë të mundur që studentët të pranoheshin në universitete pavarësisht nga të ardhurat e familjes së tyre.
Donacionet e mëparshme prej 1 miliard dollarësh për universitetet në SHBA, nuk kanë qenë të shumta. Pjesa më e madhe janë bërë përgjatë viteve të fundit.
Në vitin 2022, sipërmarrësi John Doerr dhe bashkëshortja e tij, Ann, i dhanë 1.1 miliardë dollarë Universitetit Stanford për një shkollë të re që fokusohet në ndryshimet klimatike.
Kolegji “McPherson” ka marrë dy donacione që nga viti 2022 , nga një donator anonim në vlerën totale prej 1 miliard dollarësh. Shkolla, e cila ka rreth 800 studentë të regjistruar, ka një program për restaurimin e automobilave dhe ndodhet në qytetin Wichita, në Kansas.
Michael Bloomberg ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, dha 3 miliardë dollarë për bamirësi në vitin 2023, duke u bërë një nga donatorët më të mëdhenj, sipas hulumtimit të platformës që mbulon organizatat dhe individët e angazhuar në filantropi, “Chronicle of Philanthropy”.
(Zëri i Amerikës)