Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e fiton medaljen e artë në Poloni

Varshavë, 16 maj 2025 – Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka fituar medaljen e artë në Kupën e Federatës Botërore “Feliks Stamm” të premten në Varshavë të Polonisë.

Donjeta u shpall kampione në kategorinë deri 60 kilogramë. Në ndeshjen finale ajo e mposhti boksieren e Britanisë së Madhe, Elise Glynn, me rezultat të pastër 5:0. Në raundin e parë ajo ishte e barabartë me kundështaren, por e dominoi plotësisht në raundin e dytë dhe në raundin e tretë.

Në Varshavë, Donjeta izhvilloi tri luftëra. Në luftën çerekfinale ajo e mposhti polaken Aleksandra Jankowiak, kurse në gjysmëfinale e mundi italianen Rebecca Nicoli, Të dy duelet ajo i fitoi bindshëm, me rezultat 5:0.

Në kategorinë deri 60 kilogramë morën pjesë gjithsej nëntë boksiere.

Në “Feliks Stamm” në Varshavë morën pjesë edhe dy boksierë kosovarë – vëllezërit Shpëtim e Bashkim Bajoku, por ata u eleminuan në duelet e para.

“Feliks Stamm” është garë e World Boxing, e evidentuar si Kupë Botërore. World Boxing është federata e re e boksit amator, e krijuar me përkrahjen e plotë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Falë krijimit të kësaj federate, të cilës iu bashkuan 75 federata nacionale, boksi u kthye në programin e lojërave olimpike.

Federata e Boksit e Kosovës iu bashkua World Boxing, duke u larguar nga Asociacioni Ndërkomëbtar i Boksit (IBA), i cili nuk njihet më nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

(r.m.)