Borrell e mirëpret heqjen e barrikadave në veri: “Tani në nevojitet përparim i shpejtë në dialog”

Bruksel, 29 dhjetor 2022 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka mirëpritur heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.

Në një postim në llogarinë e tij në Tëitter, Borrell, ka thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe ka theksuar se “dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje” për mosmarrëveshjet.

Borrell e ka vlerësuar edhe lidershipin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si edhe punën ekipore të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.

“Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje.

E përshëndesim udhëheqjen e përgjegjshme të Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti.

Punë e shkëlqyeshme ekipore e BE, SHBA dhe @NATO_KFOR. Faleminderit të gjithë të përfshirëve!

Tani në nevojitet përparim i shpejtë në dialog”, ka shkruar Borrell.

Largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës ka nisur me heqjen e barrikadës në fshatin Rudar, në komunën e Zveçanit.

Rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak ishin të bllokuara prej 10 dhjetorit.

(r.m.)