Borrell përsërit edhe në Nju Jork: Kosova dhe Serbia të nisin zbatimin e marrëveshjes

Nju Jork, 19 shtator 2023 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka përsëritur dhe në Nju Jork se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve midis tyre pa vonesa dhe pa kushte.

“Më herët këtë vit, të dy palët kanë rënë dakord për këtë marrëveshje drejt normalizimit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe nga palët kërkohet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për zbatimimin e saj. Shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë të ministrave (të vendeve të BE-së) për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Borrell.

“Ajo çfarë kërkojnë ata (ministrat) si BE është që zbatimi të fillojë në bazë të propozimit tonë, pa vonesa të mëtejshme dhe kjo përfshin detyrimin e të dy palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura në të kaluarën gjatë dialogut”, ka theksuar ai.

Borrell i ka bërë këto komente pas takimit joformal me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, në Nju Jork.

Borrell ka thënë se ministrat e vendeve të BE-së kanë shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit të marrëveshjes për normalizim dhe u kanë shprehur mbështetje të fuqishme atij dhe emisarit Lajçak.

“Ministrat shprehën mbështetje të fortë për Përfaqësuesin e Lartë dhe për Përfaqësuesin Special, Miroslav Lajçak, për lehtësimin e dialogut. Shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është një proces, është një rrugë, dhe është zbatim”, ka thënë Borrell.

(r.m.)