Borrell takon veçmas Kurtin e Vuçiqin për “menaxhimin e krizës” në veri të Kosovës

Bruksel, 22 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, po qëndrojnë në Bruksel, me ftesë të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të diskutuar rrugët e tejkalimit të krizës në veri të Kosovës.

Borrell, bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilluan takime të ndara me të dy udhëheqësit, por nuk pati një takim trepalësh.

Para takimeve, Borrell tha se shtensionimi i situatës dhe zgjedhjet e reja janë kusht për tejkalimin e krizës.  

“Duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe Bashkimin Evropian”, shkroi zoti Borrell në Twitter.

Pas takimit me Borrellin e Lajçakn, Vuçiq tha se ende nuk ka ndonjë “udhërrëfyes”, për rrugëdaljen nga kriza në veri të Kosovës. Ai e akuzoi Kurtin se po ushtron “terror” ndaj serbëve në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit ashtu siç janë detyruar ta durojnë deri tani”, tha Vuçiq.

Ndërkaq Kurti, para se të shkonte në Bruksel, tha se do të ngulë këmbë për lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, për shtensionimin e situatës dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

Borrell ftoi Kurtin e Vuçiqin në takim pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe më 14 qershor, incident ky që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve. Kosova e akuzon Serbinë për “rrëmbimin” e policëve kosovarë brenda territorit të saj, ndërsa Beogradi thotë se policët u arrestuan brenda territorit të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar lirimin e pakusht të polcëve dhe hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – nisën pas vendosjes së kryetarëve të komunave nën dërtesat e komunave, me mbështetjen e policisë. Serbët i bojkotuan zgjedhjet, por as nuk i pprranojnë krryetarët e zgjedhur, të gjithë kandidatë të partive politiike shqiptare.  

Diplomatët perëndimorë kërkojnë largimin e kryetarëve shqiptarë nga zyrat e komunave, tërheqjen e njësive seeciale të policisë nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto katër komunai.

Kryeministri Kurti është shprehur në favor të zgjedhjeve të reja, por ka ngulur këmbë që kjo të ndodhë pas qetësimit të situatës dhe vendosjes së rendit e ligjit në këto komuna. Ndërkaq, Beogradi kërkon largimin e forcave speciale të policisë e të kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat e komunave dhe lirimin e serbëve të arrestuar për aktet e dhunës që i përshkoi protestat e serbëve në veri.

(r.m.)