Bruksel, 30 shtator 2023 – Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.
“Nuk ka vend për armë dhe forca sigurie të grumbulluara në kontinentin evropian. Forcat duhet të tërhiqen”, tha ai për shtypin duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, ku u vra një punonjës policie në veri të Kosovës gjatë një sulmi nga një grup i armatosur.
Gjatë përleshjeve që pasuan vrasjen e oficerit të policisë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
“Kapja e armëve dhe pajisjeve të javës së kaluar është shumë serioze”, tha zoti Borrell duke nënvizuar se autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë.
Ai tha se është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët situatën aktuale në veri të Kosovës “e cila para së gjithash kërkon shtensionim dhe stabilizim të situatës së sigurisë” dhe blloku është në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje.
“Ne duhet të kthehemi në një situatë ku palët flasin dhe kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është platforma e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, tha zoti Borrell.
Autoritetet më të larta të administratës amerikane ngritën të premten shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.
Ai tha se ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit duke i bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes.
Shqetësimet e ngritura ishin pjesë e bisedës telefonike të këshilltarit të Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dhe bisedës telefonike të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
(Zëri i Amerikës)