Bruksel, 6 nëntor 2022 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se të shtunën në mbrëmje ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit, pas vendimit të serbëve për braktisjen e institucioneve të Kosovës.
Borrell ka thënë se zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, ka thënë ai.
Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
“U bëj thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.
Ai ka thënë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, pasi, sipas tij, ky veprim ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Njëkohësisht u ka bërë thirrje të dy palëve që të respektojnë obligimet e tyre të marra në kuadër të Dialogut.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, ka thënë ai.
Borrell i ka kërkuar Kosovës që të zgjatë menjëherë afatin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndërshkimin e automjeteve me targa ‘KM’.
“BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, ka thënë ai.
Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet se BE-ja i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i zbatimit të këtij obligimi cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ai ka theksuar se është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin dhe se KFOR-i, Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë të gatshëm të sigurojnë stabilitet në terren.
“Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar. Në koordinim të ngushtë me NATO/KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren në Kosovë në rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë. EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë të mbështesin për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse. BE-ja u kërkon palëve të zgjedhin me zell rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim. BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialog”, thuhet në deklaratë.
(r.m.)