Borut Pahor po përgatit një draft për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi

Lubjanë, 27 prill 2024 – Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili mund ta marrë detyrën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, në vend të Miroslav Lajçakut që pritet të largohet nga kjo detyrë, po e përgatit një draft për vazhdimin e bisedimeve midis dy palëve.

Të shtunën, në profilin e tij në “X”, Pahor ka shkruar se fillimisht draftin do ta harmonizojë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe me vendet anëtare të BE-së, veçanërisht me ato të QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca). Ai ka treguar se nuk do t’u përgjigjet kërkesave të gazetarëve për intervista derisa po pret ta marrë rolin drejtues në dialogun Kosovë – Serbi.

“Lidhur me kërkesat që po merr ish-Presidenti Pahor në pritje të rolit të tij si kandidat për Përfaqësues Special të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, ai aktualisht nuk po i përgjigjet asnjë pyetjeje apo kërkese për intervistë deri në një njoftim të dytë.

Ish-presidenti Pahor është duke e përgatitur një draft për vazhdimin e dialogut, por dëshiron që fillimisht atë ta harmonizojë me përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Josep Borrell, dhe me vendet anëtare të BE-së, veçanërisht me vendet e QUINT-it”, thuhet në postimin e z. Pahor.

Miroslav Lajçak do ta përfundojë mandatin e tij 4 vjeçar të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi në gusht të këtij viti. Ish-presidenti slloven, Borut Pahor, përmendet si zëvendësues i Lajçakut në këtë detyrë.

(r.m.)

Comment

*