Botuesi i gazetës Illyria, homazhe në nderim të kongresistit Engel

Evokon kujtime për Kongresistin bashkë me ish Presidentin Bill Clinton

Botuesi i gazetës “Illyria” në New York dhe anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) në Washington Vehbi Bajrami me bashkëshorten Gena bënë dje homazhe në nderim të kongresistit Eliot Engel në Bronx të New York-ut.

Kongresisti Eliot Engel vdiq më 10 prill të këtij viti në moshën 79 vjeçare.

Ai do të kujtohet si një mbrojtës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe aktivist për më shumë se tri dekada në Kongres në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Vehbi dhe Gena Bajrami, të cilët për shumë kohë kanë pasur miqësi të ngushtë me kongresistin Engel dhe familjen e tij, i shprehën ngushëllime bashkëshortes së tij Patricia, vajzës Julia dhe djemve Jonathan dhe Philip.

Gjatë këtyre homazheve mori pjesë edhe ish Presidenti Bill Clinton me bashkëshorten Hillary Clinton, ish senatore, ish sekretare e Shtetit dhe ish kandidate për presidente të Amerikës.

“Me presidentin Clinton folëm për kontributin e kongresistit Engel për Kosovën. Ish Presidenti Clinton theksoi se Engel e ka mbështetur atë jo vetëm për Kosovën por edhe për çështje tjera në Kongres sa herë që ai ka kërkuar ndihmën e tij”, tregon Bajrami.

“Shfrytëzova rastin ta falënderoj ish presidentin Clinton edhe kësaj radhe për ndihmën që dha për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe ai tha se për mua ka qenë një nder i veçantë që pata mundësi të ndihmoj Kosovën”, tha Bajrami.

Familja Engel falënderuan Vehbi dhe Gena Bajramin për ngushlllimet duke kujtuar gjatë bisedës miqësinë dhe respektin që ata dhe Eliot Engel kishin për njëri tjetrin dhe bashkëpunimin e ngushtë që kishin për dekada në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Screenshot