Bredhi i Nënës Terezë mbëltohet në oborrin e Presidencës së Kosovës

Prishtinë, 30 gusht 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani, dhe biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, e mbëltran në oborrin e Presidencës së Kosovës, në Prishtinë, një bredh në kujtim të Shën Terezës.

“Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani pas mbëltimit të bredhit.

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënës Terezë “simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve dhe vendeve”.

“Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, theksoi ai.

Mbëltimi i bredhit të Nënës Terezë në Prishtinë u bë në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës” që organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Bredhi i cili u mbëltua në oborrin e Presidencës së Kosovës është mbjellë me farat e bredhit që gjendej në oborrin e shtëpisë së familjes së Nënës Terezë, në Shkup, i cili është shkatërruar gjatë ndërhyrjevee në sheshin para shtëpisë muze të bijës shqiptare që nderohet nga mbarë bota.

Bredhi nga fara e bredhit të Nënës Terezë është mbëltuar ose do të mbëltohet në të gjtha qendrat e hapësirës gjeografike shqiptare dhe në shimë qendra të Evropës dhe Amerikës.

ZPRK-113ZPRK-114ZPRK-112ZPRK-110

(r.m.)