Brenda PD-së shtohen thirrjet për dorëheqjen e Bashës

Tiranë, 28 prill 2021 – Një grup prej 10 anëtarësh të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, themelues dhe studentë pranë saj qysh nga dhjetori 90, publikuan në mesditë një deklaratë, ku bëjnë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve kryetarin e saj, Lulzim Basha.

“Kërkojmë dorëheqjen e menjëherëshme dhe të parevokueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-së e të nën-Kryetarëve, mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar për të hapur rrugën e një procesi rrënjësor reflektimi, analize, zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturat e reja drejtuese të Partisë” – shkruan grupi i demokratëve.

Ata kërkuan që Partia Demokratike të kthejë demokracinë në strukturat e saj, fjalën e lirë, konkurueshmërinë, vendimin kolegjial dhe garën e pastër e të pakompromentuar.

Mes tyre spikatin Bujar Nishani, president nderi i Partisë Demokratike, dy ish-sekretarët e përgjithshëm Arben Imami dhe Arben Ristani, po ashtu Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri, pjesëtarë të një lëvizjeje për reformimin e PD-së, Indrit Hoxha nga të përndjekurit politikë dhe Bislim Ahmetaj nga studentët e Dhjetorit.

“Lulzim Basha ka shuar ëndrrën për demokraci të qindra mijëra shqiptarëve, duke humbur dy palë zgjedhje të përgjithshme, duke dorëzuar pushtetin qendror e vendor dhe opozitarizmin në dorën e Edi Ramës” – theksuan ata në deklaratë.

Ata vlerësuan se prej vitit 2013 e ka drejtuar PD-në pa profesionalizëm dhe pa dinjitet, duke zvogëluar anëtarësinë dhe duke shuar në mënyrë arbitrare shumë struktura të saj, largoi shumë anëtarë, themelues, e dhjetoristë, që nuk binin dakord me të, pra, duke eleminuar demokracinë e brendëshme në Parti.

“Me Lulzim Bashën janë tetë vjet një histori dështimesh të Partisë Demokratike. Me paftësinë, me veprime të gabuara dhe pa një strategji politike, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, me spastrimet e filluara në 2014-tën dhe të përsëritura periodikisht, me mungesën e plotë të respektit për organet e brendshme të partisë dhe për votën e anëtarëve të saj, Lulzim Basha i shërbeu humbjes së fundit” – shkroi grupi demokratëve.

Ata e fajësuan zotin Basha edhe për marrëveshjen e 17 majit 2017, për të cilën nuk u këshillua me forumet e partisë, si dhe për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike, sipas tyre, nëpërmjet një procesi jo-transparent dhe mjaft të diskutueshëm.

Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në fjalën e parë pas zgjedhjeve se edhe këtë muaj opozita luftoi për demokracinë, duke besuar se do ta kthente atë në vend.

“Këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim, që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale” – tha zoti Basha.

Ai renditi ndryshimin e njënashëm të Kushtetutës dhe Kodin Zgjedhor nga socialistët, dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës, duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve, si u shpreh ai.

Zoti Basha përmendi “milionat e koncesioneve të korruptuara” dhe “vjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë”, “kriminelët dhe bandat”, që kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median, duke zmadhuar “masakrën elektorale”.

“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij” – tha zoti Basha. Ai tha Partia Demokratike do të vazhdojë betejën me të gjithë fuqinë deri në fitore, sepse mbi 600 mijë shqiptarë votuan për opozitën.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)