Londër, 8 gusht 2025 – Britania e Madhe do të mbledhë në vjeshtë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për stabilitetin, bashkëpunimin dhe luftën kundër krimit të organizuar në rajon.
Në takim përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Danimarkës, si kryesuese e radhës e këtij unioni si edhe të disa vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë dhe Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Takimi do të mbahet më 8 tetor, në kështjellën historike Hillsborough, në Irlandën e Veriut.
“Kështjella e Hillsborough-ut mbart kujtime prekëse të fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë,” tha ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.
Ai theksoi se përvoja e Irlandës së Veriut dhe procesi i paqes aty mund të shërbejë si model për vendet e rajonit të Ballkanit..
Sekretarja e Shtetit për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, tha se Marrëveshja e të Premtes së Mirë është “një shembull i fuqishëm pajtimi për botën” dhe se ky shembull do të jetë me vlerë edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Takimi zhvillohet në një kohë tensionesh të rritura etnike dhe politike në rajon, ndërsa Londra po zgjeron bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-në për çështjet e sigurisë e ekonomisë dhe për menaxhiminm e kufijve.
(r.m.)