Prishtinë, 7 gusht 2025 – Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të rerspektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të saj.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe të promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në një postim të ambasadë britanike në Facebook.
Më 5 gusht, presidentja Vjosa Osmani, përmes një konference për media, njoftoi se e ka tërhequr kërkesën që lishte dërguar Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit, për shkak se gjyqtar raportues për këtë çështje ishte caktuar serbi Radomir Llaban. Osmani bëri të ditur se, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024, gjytari Llaban ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe për rendin kushtetues.
Osmani i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që lindin në rast se Kuvendi i ri nuk do të konstituohej brenda afatit prej 30 ditësh, të caktuar nga Kushtetuesja më 26 qershor.
Më 26 korrik, pas përfundimit të afatit 30 ditor, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme që nuk u lejon deputetëve të marrin asnjë veprim deri më 8 gusht.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është duke i trajtuar edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
(r.m.)