Londër, 24 qershor 2025 – Liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë i kërkuan sot Iranit që të mos ndërmarrë asnjë hap që do të destabilizonte më tej rajonin, pas sulmeve të SHBA-së ndaj impianteve bërthamore iraniane, Ata theksuan edhe një herë se Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore.
“Ne gjithmonë kemi qenë të qartë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe nuk duhet të përbëjë kërcënim për sigurinë rajonale”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të liderëve të këtyre tri vendeve që e kanë formuar grupin joformal të njohur si E3.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit që të angazhohet në negociata për të arritur një marrëveshje që i adreson të gjitha shqetësimet që lidhen me programin e tij bërthamor. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për këtë qëllim, në bashkëpunim me të gjitha palët”, thuhet më tutje në deklaratë
Gjithashtu, E3 riafirmoi mbështetjen e tij për sigurinë e Izraelit.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike për të ulur tensionet dhe për të siguruar që konflikti të mos intensifikohet ose të përhapet më shumë”, thuhet në deklaratën e E3.
(r.m.)