Britania i kërkoi Serbisë të ndikojë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Beograd, 27 shtator 2023 – Ministri për Çështje Evropiane i Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i dënoi fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Ngjarjet më 24 shtator paraqesin rreziqet reale për stabilitetin rajonal. Ato rrjedhin nga akumulimi i armëve dhe dështimi për të arritur përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta”, tha Docherty në Beograd, të mërkurën, më 27 shtator.

Docherty i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet në Kosovë dhe me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të shtensionuar situatën dhe që të mos ketë më shumë dhunë.

Ministri britanik u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i rikthehen dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis tyre.

“Mbretëria e Bashkuar inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në mirëbesim të rikthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Docherty.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të inkurajojë për sjellje konstruktive në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si proces kyç për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, shtoi ai.

Ministri britanik për Çështje Evropiane qëndroi në Beograd në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor. Ai u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, me ministren për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe me disa deputetë të Kuvendit të Serbisë.

(r.m.)