Londër, 16 shtator 2026 – Sekretari për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, Lordi Stewart Wood, ka thënë se vendi i tij e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës.
Lordi Wood ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar “mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës” dhe se ndihet krenare që ndërhyri në vitin 1999, bashkë me aleatët e NATO-s.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008″, ka deklaruar ai, pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Sekretari Wood ka thënë se aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Speciale nuk ka të bëjë me shtetësinë e sovranitetin e Kosovës as me të drejtën e Kosovës që ta përcaktojë të ardhmen e saj. Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve shtetërore, liderëve politike dhe figurave publike që të angazhohen që çdo reagim ndaj vendimit të Speciales të jetë paqësor.
“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, liderët politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vendosin sigurinë e njerëzve mbi të gjitha. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në mbarë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet”, ka thënë sekretari Wood.
(r.m.)