Britania shpreh shqetësim për rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë

Londër, 17 gusht 2022 – Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të martën ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

Ambasada britanike në Kosovë njoftoi se z. Peach u ka thënë dy udhëheqësve se në takimin e tyre në Bruksel duhet të vënë në rend të parë qytetarët e tyre.

“Përfaqësuesi Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka folur dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, duke shprehur shqetësimin e Britanisë për rritjen e tensioneve dhe për gjuhën e përdorur në ditët e fundit. Liderët tash kanë mundësi dhe përgjegjësi që në bisedimet në Bruksel të vënë qytetarët e tyre në rend të parë, të ndërtojnë më tepër në përparimet e bëra në dialog deri më tash dhe të bëjnë hapa më të mëdhenj drejt normalizmit të marrëdhënieve”, ka shkruar në Twitter Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

(r.m.)