Bledar Lala, i akuzuar si drejtues i një rrjeti trafikimi që operon nga Belgjika drejt Britanisë së Madhe, përfshihet në listën e zezë të Londrës si lehtësues për migrim të parregullt, një masë e paprecedentë e qeverisë britanike kundër krimit të organizuar.
Qeveria britanike vendosi të martën sanksione ndaj 25 individëve dhe entiteteve të dyshuara si organizatorë, mundësues dhe përfitues të migrimit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, përmes një skeme të re sanksionesh globale kundër trafikimit të njerëzve.
Në mesin e të goditurve është edhe shtetasi shqiptar Bledar Lala, i cilësuar nga autoritetet britanike si drejtues i një rrjeti kriminal që kontrollon rrugën e kontrabandimit të emigrantëve nga Belgjika drejt brigjeve të Britanisë, përmes Kanalit Anglez.
Lala, për të cilin autoritetet britanike pretendojnë se “kontrollon operacionet në Belgjikë” të një organizate kriminale, është vënë nën sanksione që përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalim të qasjes në sistemin financiar të Mbretërisë së Bashkuar. Ai është një nga figurat qendrore në këtë listë sanksionesh, e cila për herë të parë synon të godasë në mënyrë sistematike rrjetet që lehtësojnë migracionin e parregullt përmes trafikimit të njerëzve, përdorimin e dokumenteve false dhe sistemeve informale financiare si ‘Hawala’.
Sipas njoftimit nga ‘Foreign, Commonwealth and Development Office’ (FCDO), Lala përmendet në një kategori me figura të tjera të rëndësishme të botës së krimit nga Afrika Veriore, Ballkani dhe Lindja e Mesme. FCDO thekson se këto individë përbëjnë një nyje kyçe në një zinxhir global trafikimi të emigrantëve, ku përfshihen gjithashtu kompani që prodhojnë gomone të vogla për kalime të paligjshme dhe të rrezikshme përmes Kanalit Anglez dhe ndërmjetës që lehtësojnë pagesat e paligjshme për trafikantët.
“Ky është një moment historik në përpjekjen tonë për të luftuar krimin e organizuar të migracionit,” deklaroi ministri i Jashtëm britanik, David Lammy. “Po godasim bandat dhe organizatat që përfitojnë nga vuajtjet njerëzore, dhe po e bëjmë këtë në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.”
Sanksionet ndaj Lalës përkojnë me një valë të re të politikave britanike për të ashpërsuar masat ndaj migracionit të paligjshëm. Regjimi i ri i sanksioneve, i miratuar pas zgjedhjeve të fundit, synon jo vetëm trafikantët, por edhe ndihmësit e tyre në industri, përfshirë kompani të teknologjisë dhe prodhues të pajisjeve të transportit detar.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani, e cila ka punuar ngushtë me FCDO-në për identifikimin e personave të sanksionuar, e konsideron masën një instrument të ri për të penguar funksionimin e bandave të trafikimit.
“Ne do të përdorim çdo mjet në dispozicion për të çmontuar këto rrjete dhe për të mbrojtur jetën e njerëzve që shpeshherë janë viktima të shfrytëzimit,” tha drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Graeme Biggar.
Ndaj Lalës, ashtu si ndaj të gjithë personave të tjerë të përfshirë në listë, është vendosur gjithashtu ndalim udhëtimi për në Britani dhe ndalim për të kryer funksione drejtuese në kompani të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar.