Bruce: Presidenti Trump pret që Kosova dhe Serbia të punojnë për të ardhmen

Nju Jork, 9 prill 2026 – Zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombecve të Bashkuara, Tammy Bruce, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen për përmirfësimin e marrëdhënieve midis tyre. Ajo ka theksuar se kjo është e rëndësishme jo vetëm për të dyja vendet, por për mbarë rajonin.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi. Ne, si secili prej jush, e dimë se kjo paqe dhe stabilitet ka rëndësi për të dyja vendet, si edhe për të ardhmen më të mirë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo të enjten, në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka theksuar ajo.

Ambasadorja Bruce u është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, me thirrjen që të angazhohen për uljen e tensioneve midis dy vendeve.

“Shpresojnë që të dy palët do ta ulin temperaturën, do të shmangin përshkallëzimin e gjendjes dhe do të qëndrojnë të angazhuar në tryezën e bisedimeve”, është shprehur ajo.

Bruce ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë “një dialog të vërtetë”.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë me udhëheqësit që shikojnë drejt së ardhmes në vend të së kaluarës, në një dialog të vërtetë në vend të teatrit”, ka thënë diplomatja amerikane.

“Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara”, ka thënë mes tjerash ajo.

Ambasadorja Bruce, sikurse përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara në OKB-së para saj, e ka vlerësuar të panevojshëm mandatin e misionit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Ajo ka thënë se misioni i UNMIK-ut ishte mbështetja e procesit të krijimit të një mjedisi të qetë e të sigurtë në Kosovë pas përfundimit të luftës.

“Ky ishte një moment tjetër, një mision tjetër dhe një Kosovë tjetër. Ky nuk është realiteti në terren sot. Nuk ka asnjë justifikim që në vitin 2026 Kosova të trajtohet sikurse të ishte ende ajo Kosova e vitit 1999”, ka theksuar ajo.

“Sot, KFOR-i ndihmon në ruajtjen e sigurisë në rajon. EULEX-i dhe OSBE-ja punojnë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet e Kosovës. Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Peter Sorensen, e udhëheq dialogun Prishtinë-Beograd. UNMIK-u nuk ka më rol domethënës qeverisës, ushtarak apo ndërmjetësues”, ka shtuar Bruce.

“Nuk po adreson një krizë aktive paqeruajtëse, nuk është garantues sigurie në terren dhe nuk po përparon normalizimin. Shumë nga funksionet që ende i ruan në letër trajtohen më mirë nga organizata të tjera”, ka shtuar ajo.

Bruce ka thënë se OKB-ja duhet të përqendrohet në vendet ku ka nevojë tani.

“Megjithatë, ky mision mbetet. Pse? Në një botë krizash reale që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nga Ukraina, në Iran, Haiti dhe Sudan, populli amerikan – dhe sinqerisht të gjithë ata që financojnë këtë mision – kanë të drejtë të bëjnë një pyetje të thjeshtë: për çfarë saktësisht po paguajmë ende?”, ka thënë diplomatja amerikane.

(r.m.)