Brukseli paralajmëron se mbrojtja e Ballukut do të ketë implikime në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE

Politiko

Bashkimi Evropian paralajmëron se mbrojtja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për korrupsion, do të ketë implikime në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

 

Parlamenti i Shqipërisë votoi të enjten kundër heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza për korrupsion, gjë që në Bruksel shkaktoi paralajmërime se kjo mund të ketë implikime në përpjekjet e vendit për anëtarësim në BE.

Kryeministri Edi Rama dhe Partia e tij Socialiste në pushtet e mbrojtën Ballukun, e cila është në shënjestër të arrestimit nga prokuroria speciale e Shqipërisë, , SPAK, për ndërhyrje në projekte infrastrukturore me vlerë mbi 200 milionë euro.

Balluku u shkarkua nga Rama në fund të shkurtit, nga pozita e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo mohon çdo shkelje.

“BE-ja e ka parë rezultatin e votimit të sotëm në parlamentin shqiptar. Angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit kanë rëndësi të madhe për procesin e pranimit në BE”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për POLITICO, të enjten.

“Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK ta kryejë punën e tij në mënyrë efektive është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha zëdhënësi.

Ambasadat e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës reaguan gjithashtu ndaj votimit, duke i bërë jehonë thirrjes së Brukselit pët të mos ndërhyrë në sistemin gjyqësor.

Për anëtarësimin e Shqipërisë BE është kusht i domosdoshëm “ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në rastet e rangut të lartë”, tha në një deklaratë ambasada gjermane në Tiranë ku i bëhet thirrje qeverisë së Shqipërisë që të respektojë sundimin e ligjit.

“Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa”, shtoi ajo.

Rama u përgjigj me një deklaratë në X, duke thënë se “ne të gjithë pajtohemi 100 për qind” me “parimet e shprehura”. Ai këmbënguli në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së deri në vitin 2030 dhe se qeveria në Tiranë e mbështet plotësisht SPAK-un.

“Shumica qeverisëse sot bëri pikërisht atë që do të bënte çdo parlament demokratik në Evropë”, shkroi kryeministri.

Ai argumentoi se miratimi i kërkesave të prokurorëve për të arrestuar një deputet duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën dhe nuk mund ta trajtojë këtë si “kalim pa kontroll të kufijve Shengen”.

Paraardhësi i Ballukut, Arben Ahmetaj, kërkohet gjithashtu nga SPAK për akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në fund të vitit 2025, Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë u bëri kërkesë autoriteteve zvicerane për ekstradimin e tij. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një tjetër anëtar i partisë së Ramës, gjendet në paraburgim që nga arrestimi i tij për akuza të ngjashme, në vitin 2025.