Bullgaria dha leje për fluturimin e avionit të Lavrovit nëpër hapësirën e saj ajrore

Sofje, 28 nëntor 2023 – Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të fluturojë mbi Bullgari për të arritur në Shkup, ku do të mbahet takimi i Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), raporton Radio Evropa e Lirë.

Ky vendimi u mor me kërkesë të Maqedonisë së Veriut, e cila është kryesuese e OSBE-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë bëri të ditur se ka dhënë leje për fluturimin e një njësie speciale të aviacionit rus përmes hapësirës ajrore bullgare, për të mundësuar pjesëmarrjen e një delegacioni në një forum ndërkombëtar. Kjo leje është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.

Sipas njoftimit, autorizimi për fluturimin e avionit të Lavrovit është përjashtim nga regjimi i sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë të sanksionuar nga BE-ja.

Më herët, Komisioni Evropian ka thënë se Lavrov mund të udhëtojë në BE dhe në Maqedoninë e Veriut, edhepse ai është i sanksionuar.

Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së. Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumica e vendeve të Evropës, përfshirë Bullgarinë, e kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur kështu kundërshtimin e agresionit ndaj Ukrainës. Ndalesa vlen për të gjithë avionët me licencë të lëshuar nga Federata Ruse.

Perëndimi ka sanksionuar po ashtu zyrtarë të lartë rusë, përfshirë Lavrovin.

Takimi i Këshillit të Ministrave të OSBE-së do të mbahet prej 29 nëntorit deri më 1 dhjetor. Në këtë takim pritet të marrin pjesë mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së.

Lavrov ka thënë se përfaqësues të disa vendeve perëndimore kanë kërkuar të takohen me të gjatë samitit në Shkup.

“Tashmë ka disa kërkesa për takime, duke përfshirë edhe përfaqësues të vendeve perëndimore”, citohet të ketë thënë Lavrov.

Në qershor të vitit të kaluar, Lavrov nuk mundi të shkonte në Serbi për shkak se vendet fqinje të Serbisë – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – nuk e lejuan fluturimin e avionit të tij nëpër hapësirat e tyre ajrore.

(r.m.)