Bullgaria reagon ashpër ndaj gjuhës së Edi Ramës

Sofje, 24 qershor 2022 – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë ka publikuar të premten një deklaratë të ashpër kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama pas deklaratave të këtij të funbdit, i cili tha se Bullgaria po mban peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në lidhje me mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një deklaratë të gjatë, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare kujtoi se ka qenë “gjithmonë ndër ato shtete anëtare të BE-së që mbështesin identitetin europian të popullit shqiptar”, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama për “komente të rënda dhe fyese”.

Më tej, në deklaratë thuhet se gjuha e përdorur nga kreu i qeverisë shqiptare, nuk mund të justifikohet, teksa shton se Rama duhet të flasë si një politikan i një vendi kandidat për në BE.

“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të BE-së që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në BE.

“Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.

Kryeministri i Shqipërisë, në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se Bashkimi Evropian “është bërë për keqardhje” për shkak se mbetet peng i problemeve që ka një vend anëtar.

Ndërkaq, në konferencë për medie, pas përfundimit të samitit, Rama ka thënë se vendimi i Sofjes “është për turp”.

(r.m.)