Buxhovi: Vrasja e Ahmet Krasniqit ishte komplot kundër rezistencës institucionale

Prishtinë, 21 shtator 2025 – Sot u mbushën 27 vjet nga vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi, ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, e cilësoi vrasjen e kolonel Krasniqit “komplot kundër rezistencës institucionale” në Kosovë.

“Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë më 21 shtator 1998 ishte pjesë e skenarëve, të huaja, që lëvizja institucionale me shtetin paralel të mos ndërlidhet me rezistencën e armatosur, që kishte filluar me themelimin e Qeverisë së Kosovës në fund të vitit 1991 në përbëjen e së cilës ishin Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Rendit”, shkruan Buxhovi në një postim në Facebook, në ditën e 27 vjetorit të vrasjes së Krasniqit.

Sipas Buxhovit, vrasja e kolonelit Krasniqi kishte qëllim konfrontimet e hapura midis “krahut institucional” dhe “krahut të luftës”, të cilat do të kishin pasoja tragjike po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s, gjatë luftës,dhe vendosja e UNMIK-ut pas përfundimit të luftës.

Koloneli Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998, në orët e mbrëmjes, në një pritë pranë banesës së tij, në Tiranë. Vrasja e tij nuk është ndriçuar as sot e kësaj dite nga autoritetet, as në Shqipëri dhe as në Kosovë.

Vrasja e Ahmet Krasniqit konsiderohet si njëra nga episodet më të errëta të luftës së armatosur për lirinë e Kosovës.

Postimi i plotë i Buxhovit:

VRASJA E KOLONEL AHMET KRASNIQIT – KOMPLOT KUNDËR REZISTENCËS INSTITUCIONALE

Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë më 21 shtator 1998 ishte pjesë e skenarëve, të huaja, që lëvizja institucionale me shtetin paralel të mos ndërlidhet me rezistencën e armatosur, që kishte filluar me themelimin e Qeverisë së Kosovës në fund të vitit 1991 në përbëjen e së cilës ishin Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Rendit. Këto ministri u desh të ndalin përkohësisht veprimtarinë pas udhërit të kërshndëndellave të presidentit amerikan Xhorxh Bush, dërguar Millosheviqit si kërcënim për mospërhapjen e luftës në Kosovë, me çka edhe Qeverisë së Kosovës iu kërkua që të ndalonte çarëdo organizimi ushtarak në Kosovë siç ishte asokohe përshirja e ushtrakëve shqiptarë, që kishin braktisur APJ-në, në kuadër të Mbrotjes Teritoriale të udhëhequr nga kolonel Hajzer Hajzeri.

Me këtë rast, nga ana amerikane, presidentit Rugova, iu kërkua që të vazhdohet rezistenca intitucionale me shtetin paralel “si politikë pa luftë”, ndërsa rezistenca e armatosur të aktivizohet kur të vijë koha, që duhej të përcaktohej nga amerikanët dhe aleatët, por që edhe si e tillë, me partnerët e zgjedhur prej tyre, do të ishte ” luftë pa politikë”.

Aktivizimi i kolonel Ahmet Krasniqit në kuadër të FARK-ut në mars të vitit 1998, i emëruar nga Qeveria Bukoshi si komandant i FARK-ut me detyrën që ushtarakët, sipas marrëveshjes së Oslos së majit të vitit 1998 të kolonel Ahmet Krasniqit me përfaqësuesin e UÇK-së Adem Demaçin, të marrin përsipër drejtimin e rezistecës së armatosur të subordinaur në UÇK, mobilizoi kundërshtarët e këtij pajtimi historik deri te përmasat e komplotit për vrasjen e kolonelit në Tiranë, ndërkohë, që edhe Demaçin e përjashtoi nga “përfaqësimi” i UÇK-së deri te largimi i plotë i tij!

Kjo vrasje, edhe pse nuk e ndaloi pjesëmarrjen e forcave të FARK-ut në kuadër të luftës së UÇK-së, ku ata ishin bartësit kryesor në frontin e Kosharës, megjithatë UÇK-ja e drejtuar nga Drejtoria Politike e ktheu atë në “krah politik” të LPK-së, me çka u ushqyen ndasitë e thella dhe konfrontimet e hapura midis “krahut institucional” dhe “krahut të luftës”, gjatë dhe pas luftës me pasoja tragjike, që po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s gjatë luftës dhe ajo e UNMIK-ut pas saj, e gjitha mund të merrte kahun e një konflikti të armatosur ndërshqiptar!

(r.m.)