Cameron në Prishtinë: Britania e Madhe do ta ndihmojë afirmimin e Kosovës në planin ndërkombëtar

Prishtinë, 4 janar 2024 – Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë premevimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, duke veçuar procesin e njohjeve të reja dhe procesin e pranimit në organizata ndërkombëtare.

“Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, dhe të drejtës për tu njohur plotësisht nga të tjerët si shtet sovran… Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni”, u shpreh Cameron, në konferencën për media, përkrah ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Cameron tha se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën edhe në planin e brendshëm.

“Mbi të gjitha, më e rëndësishme është të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen se kanë të ardhme të sigurt, të gjitha komunitetet”, theksoi ai.

Sekretari i Jashtëm britanik theksoi edhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, me paqëndrueshmëri të madhe – një botë me konflikte të mëdha dhe tani është koha që vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë me aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e vlerësoi vizitën e Sekretarit Cameron si dëshmi të mbështetjes së vazhdueshmë të Britanisë së Madhe për Kosovën.

“E falënderova [sekretarin Cameron] për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe pë rolin e Britanisë në ndaljen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova edhe për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, tha ajo.

Gërvalla tha se në Kosovë ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e botës perëndimore.

“Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, theksoi Gërvalla.

David Cameron arriti në Kosovë të mërkurën pasdite. Ai u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Edhe në këto takime u vlërësua mbështetja e madhe e Britanisë së Madhe pë Kosovën.

(r.m.)