Cana dhe Mavrajn: Shqipëria mund të marrë rezultat të mirë

Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014” – Sot në Oslo me orën 19:00 vendore Shqipëria luan si udhëtuese kundër Norvegjisë, ndeshja e pestë në grupin “E” të Europës. Kapiteni Lorik Cana thotë se Shqipëria duhet të luajë njejtë si brenda ashtu edhe jashtë fushës së saj

 

Denion Ndrenika

Kapiteni i Kombëtares së Shqiptarëve, Lorik Cana thotë se Shqipëria duhet të përpiqet të luajë dhe marrë rezultat jashtë Shqipërisë si dhe brenda Shqipërisë. Kapiteni Cana i bëri komentet ndërsa Kombëtarja po përgatitej të udhëtonte për në Oslo ku të premten e 22 marsit do të ndeshet me Norvegjinë vendase për eliminatoret e Grupit “E” të Botërorit “Brazil 2014”. Lojtari i Lacios në Serinë “A” të Italisë, Lorik Cana beson te fuqitë e ekipit, ndërkohë që nuk e sheh si problem dëmtimin në kavilje që pësoi të martën në stërvitje. Cana doli përpara mediave në vendgrumbullimin e kombëtares në Durrës: “Kavilja është pak e enjtur, por nuk është diçka që e do ta vendosë në rrezik prezencën në ndeshje. Jemi komplet skuadër tjetër brenda publikut! Ajo tregon që nuk kemi arritur akoma që të kemi një skuadër që të ketë një identitet”.
Kurse, mbrojtësi i qendrës Mërgim Mavraj i Grojter Fyrtit në Bundesligën e Parë të Gjermanisë, beson se Shqipëria ka mundësi të luajë dhe të fitojë një pikë në Oslo: “Ne do të shkojmë në Norvegji për të fituar. Nuk shkojmë për të arritur një barazim. Por çka do të marrim në fund, nuk i dihet”.
Kombëtarja udhëtoi të enjten për në Oslo dhe po atë ditë, në respekt të rregulloreve ndërkombëtare, zhvilloi stërvitjen në të njejtën orë me të ndeshjes. Sot në Oslo me orën 19:00 vendore Shqipëria luan si udhëtuese kundër Norvegjisë, ndeshja e pestë në grupin “E” të Europës.
Trajneri italian Xhani de Biazi pothuajse ka vendosur ta ketë nga minuta e parë në lojë mesfushorin e Torinos në Serinë “A” të Italisë, Migjen Basha, pasi FIFA e lejoi të luajë me Kombëtaren e Shqiptarëve.
De Biazi beson se me forcën fizike të skuadrës do t’ia dalë mbanë kundër norvegjezëve. në portë do të vendoset përsëri portieri i kalmarit të ligës së më të mirëve të Suedisë, “Allsvenska”, Etrit Berisha. Në qendër të mbrojtjes do të jetë dyshja Cana-Mavraj. Në krah të majtë të mbrojtjes Ansi Agolli i Karabakut të Azerbajxhanit (liga 1) dhe Armend Dallku i Vorslka Poltavës së Ligës 1 të Ukrainës. Në mesin e fushës do të luajë Migjen Basha dhe Ervin Bulku që luan me Sepahanin e Iranit. Krah tyre është edhe Andi Lila i PAS Janinës së Greqisë. Sulmin e ka në dorë Edgar Çani i Katanias në Serinë “A” italiane dhe hamdi Salihi i Jingsia të Kinës. Stafi thotë se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë.
Shqipëria po e mban vendin e tretë në grup me 6 pikë, sa edhe Islanda, por me golavarazhin më të mirë. Shqipëria fitoi në Tiranë me Qipron 3-1 dhe me Slloveninë 1-0, por u mund në Zvicër 0-2 dhe në Tiranë nga Islanda 1-2. Shqipëria dhe Norvegjia kanë luajtur deri tani dy takime me njera-tjetrën, që të dyja për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 2000. Në Oslo në 14 tetor 1998 Shqipëria barazoi 2-2, ndërsa në Tiranë u mund 1-2 në 5 qershor 1999.