ÇARMATOSNI FJALËT …

Dom Gjergj Meta

Kështu iu drejtua Papa Leoni XIV gazetarëve në Aulën Pali VI me datë 12 maj 2025: “Të çarmatosim fjalët e do të kontribojmë në çarmatosjen e tokës.” E unë do të shtoja: të çarmatosim edhe mendimin e imazhin.

Gjithë këto kohë luftërash e konfliktesh të ndryshme kemi asistuar edhe në fjalën e armatosur, plot vrer, inat e zemërim. E kemi parë keto muaj e këto javë e po vazhdojmë ta shohim edhe në vendin tonë për shkak të zgjedhjeve. Nuk ndodh kjo mënyrë komunikimi, ky zhargon arrogant, bullizues, denigrues, fyes e poshtërues në asnjë demokraci perëndimore. Kjo e jona është sui generis dhe i ka rrënjët thellë në një të kaluar ku realiteti shihej bardhë e zi, ku kundërshtari ishte armik i popullit e jo dikush që mendonte ndryshe. Vështirë të lirohemi nga kjo mendësi, madje do të thoja nga kjo traumë kolektive.

Një gjuhë e armatosur helmon e vret ashtu si thotë shprehja e kanunit: “gjuha asht tul, por bren kocka”. E fatkeqësisht këtë gjuhë e kemi dëgjuar në tribuna politike, në gojën e shume të rinjëve, e lexojmë në komente nëpër rrjetet sociale. Gjuhë urrejteje dhe poshtërimi të kundërshtarit duke e ktheyer atë në armik. Nuk e di me ç’guxim do të takohesh në rrugë, në qytet apo në një sallë parlamenti, pasi ke shkëmbyer fjalët me të rënda me dikë?

Gjuha, fjala, janë hapësirat ku banon qënia jonë do të thonte Martin Heidegger. Po çfarë cilësie të qënurit ne përcjellim nëpërmjet gjuhës që përdorim? Një qënie që kundërmon mllef, inat, zemërim. Një qënie e kalbur që në fakt nuk mund të sjellë asesi një shoqëri të bukur.

Të çarmatosësh fjalën do të thotë të çarmatosësh zemrën nga ndjenjat e këqija, nga etja për sundim, nga zvetënimi i dëshirës për të shkatërruar në vend që të ndërtosh.

“Krijo në mua një zemër të pastër!” – thotë Psalmi 50, që është vendosur edhe në tekstin e këngës “Zjerm”, konkuruese në Eurovizion. Vetëm Zoti mund të krijojë tek njeriu një zemër të pastër e të paqtë. E prej asaj zemre do të dalin fjalë e gjeste paqeje.