Çela për dekriminalizimin: Kemi vështirësi të sigurojmë të dhëna jashtë vendit

Tiranë, 13 prill 2023 – Verifikimi i të kaluarës së personave që përfshihen në jetën politike,e që duhet t’i nënshtrohen procesit të dekriminalizimit, po has në vështirësi, kur bëhet fjalë për të dhëna që do duhet të sigurohen jashtë vendit.

Prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha sot se “pjesa më e madhe e shteteve nuk përgjigjen”.

Zoti Çela shpjegoi se “kjo është një çështje shqiptare që ne duam ta zgjidhin ndërkombëtarisht. Por, instrumentat me të cilat ne veprojmë, janë konventat dhe shumë shtete nuk ofrojnë ndihmë juridike sa i përket çështjeve të dekriminalizimit”.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dërgoi Prokurorisë së Përgjithshme një listë më 29 kandidatë për kryetarë Bashkie apo këshilla bashkiakë. Në formularët e plotësuar prej tyre, janë gjetur elementë që ngrejnë dyshime, e për pasojë nevojitet një verifikim i thelluar. Eksperienca e kaluar por dhe shpjegimet e sotme të Prokurorit të Përgjithshëm, duket se nuk lënë hapësira për shpresë që KQZ të mund të marrë përgjigje përpara datës së zgjedhjeve, sidomos rreth emrave për të cilët do të duhet të kërkohet verifikim jashtë vendit.

Nga 9 kandidatë për kryebashkiakë, 4 janë propozuar nga Partia Socialiste në Kuçovë, Krujë, Vau i Dejës dhe Has. Ajo që bie në sy është se dy prej tyre, Kreshnik Hajdari i Kuçovës dhe Artur Bushi i Krujës, janë në detyrë dhe po kërkojnë vetëm rikonfirmimin në këto zgjedhje.

Tre kandidatë të tjerë në Shijak, Devoll dhe Himarë, i përkasin koalicionit “Bashkë fitojmë”, i udhëhequr nga Partia e Lirisë, e zotit Meta, ku janë përfshirë në fakt kandidatët e propozuar nga grupimi demokrat i drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha.

Një tjetër kandidat, Agron Kapllanaj, në Mallakastër, është i Partisë Demokratike, me kryetar të komanduar zotin Alibeaj. Po ashtu verifikime janë kërkuar dhe për një tjetër kandidat Abedin Oruçi, i propozuar nga “Partia për europianizimin dhe integrimin e Shqipërisë”, për Bashkinë Kukës.

Pjesa tjetër e listës që KQZ i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, përbëhet nga kandidatë për në këshillat bashkiakë. Prej tyre 6 janë emra të propozuar nga Partia Demokratike, 4 nga “Aleanca progresiste, LZHK”,koalicioni i ri opozitar, që bashkon Bindjen Demokratike me LZHK-në, 3 nga Partia Socialiste, dhe të tjerët nga forca të ndryshme politike pjesmarrëse në zgjedhje.

(Zëri i Amerikës)