Tiranë, 9 korrik 2024 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, shprehu sot shqetësim për ecurinë e reformës zgjedhore dhe për ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, të cilat i cilësoi si të vonuara.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës zoti Celibashi theksoi se votimi i Diasporës duhej futur në ligj një vit më parë, sipas qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tani mbetet për t’u parë se çfarë do të miratojë Kuvendi për këtë çështje.
Ai i bëri këto komente pas një tryeze të rrumbullakët të KQZ-së dhe OSBE-së me partitë politike dhe shoqërinë civile, ku kreu i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, bëri thirrje për reformë gjithëpërfshirëse dhe me mirëkuptim për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë për Zërin e Amerikës se ndryshimet në Kodin Zgjedhor si zakonisht bëhen në momentin e fundit, gati 6 muaj përpara periudhës zgjedhore në Shqipëri, dhe kjo ka ndikim jopozitiv në përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor
“Koha në dispozicion e vendos KQZ-në në vështirësi për t’i përgatitur zgjedhjet nga çdo pikëpamje ashtu siç duhet të bëhen zgjedhjet në një vend demokratik. Kjo është një histori e përsëritur në Shqipëri, ku ndryshimet në Kodin Zgjedhor bëhen në minutën e fundit”, thotë zoti Celibashi.
Ai shtoi se 9 muaj mjaftojnë të përgatitet një proces zgjedhor normal, por kur ligji dihet dhe është aty i miratuar, jo kur ai mund të ndryshojë.
“Tani jemi në mes të muajit korrik. Data më e afërt e mundshme për zgjedhjet e ardhshme është 15 prilli, ndaj përgatitjeve u mbeten më pak se 9 muaj të plota nga fushata e ardhshme zgjedhore, shto këtu edhe pasigurinë, që ende nuk e dimë se çfarë ndryshimesh do të ketë në Kodin Zgjedhor”, thotë komisioneri Celibashi.
Pengesë kryesore në miradministrimin e procesit zgjedhore janë komisionet bipartizane me anëtarë nga forcat politike, shtoi ai. Partitë politike të të gjithë krahëve e kanë pranuar që kjo formulë nuk funksionon, por ato nuk u angazhuan në procesin për ta ndryshuar këtë formulë, tha zoti Celibashi. Por aktualisht ajo çfarë kërkon angazhim në kohë dhe energji për KQZ-në është votimi nga jashtë.
“Do të kishim preferuar që ashtu si Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar, të ishin amenduar për votimin nga jashtë një vit më parë. Jemi shumë shumë vonë, por në një mënyrë ose në një tjetër ta qasim këtë problematikë, që na e kanë krijuar të tjerët”, tha zoti Celibashi.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shtoi se më e mira për administrimin e procesit zgjedhore do të ishte që rregullat e garës zgjedhore të pranohen nga të gjithë, e të mos miratohen në mënyrë të njëanshme.
Edhe kreu i Pranisë së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, bëri thirrje për reformë gjithëpërfshirëse, dialog të hapur, të gjerë dhe bashkëpunim e mirëkuptim në shqyrtimin e çështjeve zgjedhore sipas përparësive dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
“Prania e OSBE-së në Shqipëri vazhdon të jetë e angazhuar të mbështesë proceset demokratike dhe integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ne besojmë se transparenca, gjithëpërfshirja dhe miradministrimi i procesit zgjedhor përbëjnë elemente themelorë të zhvillimit demokratik të vendit”, tha ambasadori Tarran, drejtues i OSBE-së në Shqipëri.
Ai e cilësoi si sfidë ende të pazgjidhur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit, ndërsa theksoi se “kur ka vullnet atëherë ka edhe zgjidhje”.
Por vëzhgues të pavarur vendas vërejnë se forcat kryesore politike nuk kanë vullnet politik për mirëkuptim as për gjithëpërfshirje. D
rejtuesja e SHKD-së, Gerta Meta, thotë se PS po bën ndryshime në ligj me autorësinë e saj dhe pa dakordësinë e palëve dhe ky ishte dështimi i radhës me reformën zgjedhore, ku sërish nuk flitet për rekomandimet e ODIHR-it dhe mbetet dyshimi se po afrohen zgjedhje të kundërshtuara dhe një proces i bërë pis.
“Nuk e duan gjithëpërfshirjen, nuk e duan konsensusin. Palët kanë një reaksion kur vjen puna për ta rikthyer në agjendë reformën zgjedhore, duke vënë përpara kërkesa që e çojnë diskutimin në pikën 0, diskutimi fillon nga e para dhe nuk ka një përparim as në ato çështje që partitë në deklarata të mëvetshme pohojnë se janë gati t’i pranojnë”, thotë zonja Meta.
Përfaqësuesit e partive politike ia kaluan përgjegjësinë njëra tjetrës lidhur me reformën zgjedhore dhe e gjejnë fajin tek pala tjetër sa i takon vullnetit politik për mosarritjen e mirëkuptimit.
PS i ka propozuar Kuvendit që votimi i Diasporës nga jashtë të organizohet dhe realizohet përmes KQZ-së. Po ashtu u propozua të shtrihet votimi elektronik në 5 Qarqe, edhe ulja e pragut të herësit për të fituar një mandat brenda partisë.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen miratuar me shumicë të cilësuar, nga 3/5 e deputetëve dhe ndërsa opozita shprehu zhgënjim, që propozimet e saj nuk u përfillën.
Ende nuk është e qartë nëse do të arrihen ose si do të arrihen numrat e duhur për të miratuar propozimet e socialistëve, ndërsa Kuvendit i kanë mbetur edhe disa seanca plenare deri në mbylljen e këtij sesioni në prag të pushimeve.
(Zëri i Amerikës)