Tiranë, 22 maj 2025 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi deklaroi të enjten në një konferencë për shtyp se platformat online të KQZ-së u gjendën nën sulme kibernetike përpara zgjedhjeve të 11 majit. Celiashi shpjegoi se ka pasur 192 milionë kërkesa në shtatë ditë, ku piku më i lartë ka arritur me 5700 kërkesa në sekondë.
“Nga të dhënat që kemi, rezulton se një pjesë e madhe e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por kanë qenë të organizuara dhe të stofistikuara,” tha Celibashi.
Ai shtoi gjithashtu se sulmet kibernetike janë kryer të gjitha nga jashtë shtetit dhe janë të krahasueshme me sulme që kanë pasur edhe vende të tjera të Evropës në situata të ngjashme, si Franca, Gjermania apo Estonia.
Megjithatë, ai theksoi se sistemet e tyre u kanë rezistuar këtyre sulmeve, duke mos pasur asnjë implikim si në aplikacionet e KQZ-së ashtu edhe në faqen e modulit të transmetimit të rezultateve.
Celibashi pohoi se KQZ ka komunikuar me institucione përkatëse për këtë situatë, si me ato të sigurisë kibernetike por dhe me ato që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve sa herë që janë evidentuar.