Prishtinë, 25 gusht 2021 – Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, e cila shënohet më 30 gusht, organizatat që merren me çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, vlerësojnë se kjo temë po politizohet dhe kërkojnë depolitizimin e saj.
Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se dhimbja e cila po përcjell këto familje tani e 22 vjet, është keqpërdorur nga politika dhe politikanët për përfitime të tyre.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve vendore e ndërkombëtare që të përmbushin detyrën e tyre dhe të zbardhin fatin e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
“Ju ndërkombëtarët dhe qeveritarët nuk mund të na shëroni, por mund të na e zbutni dhimbjen që e kemi plot 22 vjet. Me çka? Me punët që i keni premtuar e që nuk po i kryeni. Kërkesa e familjarëve është një, zbardhja e fatit të pagjeturve”, tha Qerkini në forumin “Nevoja për depolitizim të çështjes së personave të zhdukur”, që umnbajt të mërkurën, më 25 gusht.
Edhe Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se çështja e personave të pagjetur është politizuar.
“Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet vetëm në mënyrë humane dhe nuk duhet të jetë politike. Por, për fat të keq Serbia po e trajton si çështje politike”, tha Hoti.
Ai theksoi se depolitizimi i kësaj çështjeje është parakusht i suksesit të përpjekjeve për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në shtator të vitit 2020, anëtarë të delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se me Serbinë është arritur një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk kishin publikuar detaje të marrëveshjes, por kishin thënë se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm kur të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.
Në qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur. Ai ka theksuar se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.
Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se ai nuk ka parë ndonjë marrëveshje lidhur me çështjen e të pagjeturve. Ai theksoi se pa u zgjidhur fati i të pagjeturve nuk mund të ketë marrëveshje të përfundimtare me Serbinë.
(r.m.)