Për ju Avokati Kiran Both

Largimi vullnetar (VD) është një mënyrë për t’iu shmangur një urdhri dëbimi nga e kaluara ligjore, duke rënë dakord të largoheni nga SHBA me shpenzimet tuaja, ndërsa përmbush disa kushte të caktuara. Largimi vullnetar është një përfitim i disponueshëm për individët e ndaluar dhe të pandaluar që kërkojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Largimi vullnetar është veçanërisht i dobishëm për njerëzit që mund të kenë një rrugë ligjore për t’u kthyer në SHBA, siç është peticioni familjar. Në disa raste, mund të jetë e vetmja ndihmë ligjore e disponueshme, por në raste të tjera, qeveria mund ta përdorë atë si mjet presioni për të bindur dikë që të heqë dorë nga të drejtat e tij ose nga ndihma të tjera ligjore pra kur largimi nuk i shërben pothuajse fare. Si Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) (përpara procedurave të dëbimit) ashtu edhe një gjykatës emigracioni (në fillim dhe në përfundim të procedurave të dëbimit) kanë autoritetin për të dhënë largim vullnetar.
Nëse dikush largohet në mënyrë të pavarur nga SHBA pa një miratim zyrtar të largimit vullnetar, si për shembull duke marrë një avion ose duke kaluar kufirin në këmbë, ky është vetë-dëbim dhe nuk është e njëjta gjë me miratimin e largimit vullnetar.
Nëse i miratohet largimi vullnetar, një shtetas i huaj nuk merr një urdhër dëbimi, gjë që ia lë hapur mundësinë për t’u rihyre në SHBA në të ardhmen. Urdhrat e dëbimit përbëjnë arsye për moslejim hyrjeje në SHBA dhe pengesë për shumë forma të ndihmës ligjore. Për shembull, një urdhër dëbimi plus largimi nga SHBA e bën dikë të papranueshëm për 10 vjet, dhe faktorë shtesë mund të rezultojnë në një pengesë edhe më të gjatë.
Largimi vullnetar përdoret më shpesh kur dikush nuk dëshiron të luftojë për çështjen e tij deri në përfundim të procedurave të dëbimit ndërkohë është i ndaluar në SHBA, por dëshiron të ruajë shpresën për një aplikim në të ardhmen (pa asnjë garanci).
Largimi vullnetar heq dorë nga shansi juaj për të kërkuar ndihmë tjetër ligjore në procedurat e dëbimit dhe heq dorë nga e drejta e apelimit. Kini parasysh se largimi vullnetar gjithashtu nuk fal akumulimin e qëndrimit të paligjshëm ose pengesa të tjera potenciale, megjithëse një përjashtim (waiver) i veçantë mund të jetë i disponueshëm. Në fund të fundit, largimi vullnetar është pak më i mirë se një urdhër dëbimi nëse nuk keni ndonjë mënyrë tjetër për t’u kthyer ligjërisht në SHBA dhe në fakt mund të jetë më i keq nëse nuk arrini të largoheni.
Përpara përfundimit të procedurave të dëbimit
Përpara përfundimit të procedurave të dëbimit, një gjykatës emigracioni mund të urdhërojë largim vullnetar për një periudhë deri në 120 ditë. INA § 240B(a)(4). Gjyqtari i emigracionit mund ta urdhërojë këtë formë të largimit vullnetar vetëm nëse i padituri e ka kërkuar atë përpara ose gjatë seancës kryesore kalendarike në të cilën çështja është caktuar fillimisht për një seancë merite, ose në çdo kohë përpara përfundimit të procedurave nëse DHS bie dakord për urdhërimin e largimit vullnetar. 8 C.F.R. § 1240.26(b)(1)(i). Për të marrë largim vullnetar, i padituri duhet:
- të tërheqë çdo kërkesë të pezulluar për ndihmë ligjore,
- të mos bëjë kërkesa të tjera shtesë për ndihmë ligjore,
- të pranojë dëbueshmërinë,
- të mos ketë një dënim për krim të rëndë (aggravated felony) ose të mos jetë i dëbueshëm sipas INA § 237(a)(4) (që lidhet me arsyet e sigurisë), dhe
- të heqë dorë nga apeli për të gjitha çështjet. 8 C.F.R. § 1240.26(b)(1)(i). Id.
Largimi vullnetar pas përfundimit të procedurave
Individi mund të kërkojë gjithashtu largim vullnetar në fund të seancës individuale ose të meritës, madje edhe pasi gjykatësi i emigracionit të ketë refuzuar të gjitha ndihmat e tjera ligjore. Një gjykatës i emigracionit është i kufizuar në dhënien e LV-së për jo më shumë se 60 ditë. Për të qenë i kualifikuar për largim vullnetar në fund të procedurave gjyqësore, individi duhet të dëshmojë se:
- ka qenë fizikisht i pranishëm në SHBA për 1 vit përpara lëshimit të Njoftimit për Paraqitje në gjykatë (Notice to Appear),
- është një person me karakter të mirë moral për 5 vitet e fundit,
- nuk është dënuar për një krim të rëndë (aggravated felony),
- nuk është i dëbueshëm për aktivitete terroriste ose kërcënime të tjera të sigurisë,
- zotëron një pasaportë ose dokument udhëtimi të vlefshëm,
- duhet të paguajë një garanci financiare prej jo më pak se $500 të depozituar brenda 5 ditëve nga urdhri,
- mund të provojë me prova të qarta dhe bindëse mjetet për t’u larguar,
- mund të largohet me shpenzimet e veta,
- mund t’i përmbahet çdo kushti tjetër për të siguruar largimin në kohë, përfshirë ndalimin,
- meriton një ushtrim favorshëm të diskrecionit.
Megjithëse VD-ja pas përfundimit kërkon prova të mjeteve për t’u larguar, përfshirë një pasaportë ose dokument tjetër udhëtimi, përsëri shumë gjyqtarë e interpretojnë këtë si një referencë për mjetet financiare, veçmas nga kërkesa e përgjithshme që VD-ja të jetë me shpenzimet e veta. Kjo shpesh rezulton që gjyqtari të kërkojë provë se është blerë një bilete avioni.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com